Gjermania dhe Indonezia forcojnë marrëdhëniet ushtarake

Indonezia dhe Gjermania kanë planifikuar të zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak, tha të hënën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius në kryeqytetin indonezian, Xhakarta në një takim me homologun e tij, Prabowo Subianto.

“Gjatë takimit diskutuam mundësinë e manovrave të përbashkëta ushtarake”, tha Pistorius.

Subianto e përshkroi takimin si shumë produktiv, pa dhënë detaje.

“Marrëdhëniet dypalëshe me Gjermaninë në sektorin e mbrojtjes ishin shumë të mira dhe duhet të forcohen edhe më tej”, tha ai.

Pistorius udhëtoi të dielën në Xhakartë, si pjesë e një vizite disaditore në rajonin Indo-Paqësor.

Berlini ka njoftuar planet për të rritur bashkëpunimin me shtetet e rajonit.

Pistorius tha se Azia dhe rajoni Indo-Paqësor do të luanin një rol vendimtar në formësimin e shekullit të 21-të.

“Çdo konflikt do të kishte pasoja të rënda për rajonin dhe mbarë botën”, tha ai.

“Si një vend tregtar dhe eksportues, Gjermania e di se sa të mëdha do të ishin pasojat e një ndërprerjeje të zinxhirit të furnizimit. Paqja, stabiliteti dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë në të gjitha pjesët e botës”, tha ai.

Më herët, Pistorius theksoi rëndësinë e një stërvitjeje të madhe ushtarake që do të nisë javën e ardhshme, për sigurinë e Gjermanisë dhe aleatëve të saj.

Stërvitjet e NATO-s Air Defender do të zhvillohen mbi qiellin e Gjermanisë nga 12-23 qershor, me pjesëmarrjen e 25 vendeve të NATO-s, 250 avionëve dhe 10 000 ushtarëve nën udhëheqjen gjermane. /atsh