Gjermania miraton pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Pak orë pasi Suedia dhe Finlanda paraqitën aplikimet e tyre për anëtarësim në NATO, qeveria gjermane vendosi të japë miratimin e saj që të dy vendet t’i bashkohen aleancës.

Kjo i mundëson ambasadorit gjerman në NATO, Rudiger Konig të nënshkruajë dy protokollet e anëtarësimit, pasi të përfundojë procesi i brendshëm i pranimit.

Përgatitjet janë duke u zhvilluar tashmë në Berlin.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier kishte dhënë më parë lejen e tij për nënshkrimin e dokumenteve të nevojshme, ndërsa ministrja e Jashtme Annalena Baerbock kishte deklaruar më parë se do të kishte një proces të shpejtë pranimi për Suedinë dhe Finlandën.

Ambasadorët suedez dhe finlandez i kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimet e tyre për NATO sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg, në një video ceremoni në internet, sot në Bruksel.

Duke pranuar aplikimet në selinë e NATO-s, Stoltenberg tha se masa ishte një “hap historik” në një “moment kritik” për sigurinë evropiane në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Shefi i NATO-s tha se aleanca do të vlerësojë ofertën e anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur, por interesat e sigurisë të të gjithë aleatëve “duhet të merren parasysh”.

Ai u referohej kundërshtimeve të fundit nga Turqia.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të hënën se ai nuk mund të pajtohej me pranimin e dy vendeve që sanksionuan vendin e tij dhe përsëriti akuzat se të dy vendet mbështesin “organizatat terroriste”, një referencë për Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe milicinë kurde, Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG) në Siri. /atsh