Gjermania: Operacioni në Idlib do të shkaktonte katastrofë humanitare

Zëvendës zëdhënësja e Qeverisë së Gjermanisë, Ulrike Demmer, paralajmëroi se një operacion i mundshëm në Idlib dhe rrethinën e tij do të shkaktonte katastrofë humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për shtyp, Demmer tha se qeveria gjermane është “tejet e shqetësuar” për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriperëndim të Sirisë.

Demmer theksoi se operacioni do të shkaktonte që qindra mijëra persona do të kërkonin mbrojtje dhe do të shkonin drejt kufirit të Turqisë.

“Operacioni i gjerë i regjimit sirian në Idlib dhe rrethinë do të shkaktonte katastrofë humanitare”, theksoi Demmer.

Sipas Demmer, kancelarja gjermane Angela Merkel dy javë më parë gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Meseberg ka theksuar se katastrofa humanitare në Idlib duhet parandaluar.

Zv/zëdhënësja e qeverisë gjermane njoftoi se është kërkuar nga Rusia të pengojë regjimin sirianë të mos përshkallëzojë tensionet, duke pritur në këtë mënyrë parandalimin e katastrofës humanitare.

Ajo po ashtu theksoi rëndësinë që organizatave humanitare t’u lejohet hyrja në Idlib dhe rrethinë pa hasur në pengesa.