Gjilani vërshohet pas të reshurave të shiut, intervenohet për të hequr ujin nga bodrumet
Reshjet e mëdha të shiut kanë vërshuar sot edhe Gjilanin, e për këtë është dashur intervenimi i shtabit të emergjencave për të larguar ujin nga disa bodrume në pjesë të ndryshme të qytetit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Gjendja më e rëndë është paraqitur në një pjesë të lagjes “Dheu i Bardhë”, konkretisht te shtrati i lumit ‘Baja’, sikurse edhe në ‘Balec Mahallë’”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, i cili ndodhet në terren, ka informuar se gjendja është duke u normalizuar falë ndërhyrjes së ekipeve komunale, ndërkaq ka falënderuar edhe qytetarët të cilët me kapacitetet e tyre po ndihmojnë në heqjen e ujit në disa shtëpi.
Ai ka bërë të ditur se në pjesë të tjera të qytetit dhe në fshatra nuk është raportuar për ndonjë problem.
Komuna e Gjilanit apelon qytetarët që për çdo problem eventual të kontaktojnë numrat e emergjencave: 044177276 dhe 044146738 dhe ekipet komunale do të intervenojnë në mënyrë sa më të shpejtë. © KOHA.







