Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores për pezullimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me shtrenjtimin e rrymës

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit për Çështje Administrative, me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundërprodhueses ZRRE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për Konfliktet Administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.

ZRRE-ja, në vazhdën e krizës botërore energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.