Ballina Arritje Teknologji Gjykata: Kompania mashtroi për sigurinë e përdoruesve të rinj

Gjykata: Kompania mashtroi për sigurinë e përdoruesve të rinj

Një gjykatë në SHBA ka dhënë një vendim të rëndë ndaj kompanisë Meta për shkelje që lidhen me sigurinë e fëmijëve në internet. Juria vendosi që kompania të paguajë 375 milionë dollarë dëmshpërblim. Sipas vendimit, platformat e saj kanë ekspozuar të miturit ndaj përmbajtjeve të rrezikshme. Meta ka kundërshtuar vendimin dhe ka paralajmëruar apelim.

Një gjykatë në New Mexico ka dhënë një vendim të fortë kundër Kompanis teknologjike Meta, duke e urdhëruar të paguajë 375 milionë dollarë për shkelje që lidhen me sigurinë e fëmijëve në internet.

Juria arriti në përfundimin se kompania, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, kishte mashtruar publikun duke krijuar një perceptim të rremë për mbrojtjen e përdoruesve të rinj.

Sipas vendimit, platformat e saj i kanë ekspozuar fëmijët ndaj përmbajtjeve seksuale të papërshtatshme dhe kontakteve me individë të rrezikshëm.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Raul Torrez, e cilësoi këtë si një vendim “historik”, duke theksuar se është hera e parë që një shtet fiton një çështje të tillë kundër Meta-s për sigurinë e fëmijëve.

Gjatë gjyqit, që zgjati shtatë javë, juria dëgjoi dëshmi tronditëse nga ish-punonjës të kompanisë. Mes tyre ishte edhe sinjalizuesi Arturo Béjar, i cili deklaroi se algoritmet e platformave shpesh promovonin përmbajtje të papërshtatshme për të miturit.

Madje, sipas dëshmisë së tij, përdorues të rinj mund të përballeshin me oferta të drejtpërdrejta me natyrë seksuale nga të panjohur.

Nga ana tjetër, kompania e drejtuar nga Mark Zuckerberg ka kundërshtuar vendimin dhe ka njoftuar apelim. Në reagimin zyrtar, Meta thekson se ka investuar vazhdimisht në mjete për mbrojtjen e të rinjve dhe në identifikimin e përmbajtjeve të dëmshme.

Megjithatë, autoritetet argumentojnë se kompania ishte në dijeni të rreziqeve, por nuk mori masa të mjaftueshme.

Ky vendim mund të ketë pasoja të mëdha për industrinë e teknologjisë, pasi mijëra padi të ngjashme janë ende në proces në gjykatat amerikane, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si platformat sociale menaxhojnë sigurinë e përdoruesve më të rinj.