Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka bërë të ditur se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale e cila ka për objekt shqyrtimin e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës kundër të pandehurve Ljubomir Çimburoviq, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, për shkak të veprës penale Krimet e Luftës kundër popullsisë civile.
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë te pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.
“Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve, Ljubomir Çimburoviq, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.
Njoftohen te pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do te mbahet ne Gjykatën Themelore ne Prishtinë, Pallati i drejtësisë Hajvali, Objekti D , Kati I, salla nr.27, me datë 22.12.2025 nga ora 09:30, nga Kryetari i Trupit Gjykues Leon Përlaska.
Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në ëeb – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale.








