Gogoli

Enis Sulstarova

Kjo është një situatë e përsëritur në historinë e shqiptarëve, që e ka përshkruar mjaft mirë Sali Nivica, një gazetar i talentuar dhe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës, në artikullin “Gogoli” të botuar te gazeta Populli, më 14.06.1915 (me gjasë ky artikull ka frymëzuar Migjenin për të shkruar tregimin e tij të shkurtër me të njëjtin titull). Nivica shkruan se gogoli përfytyrohet si një shtazë e madhe, e zezë dhe e tmerrshme, me të cilën nënat frikësojnë fëmijët e vegjël dhe i bëjnë të rrinë urtë.

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Ti thua e ai thotë

Ti thua Zajednica është kancer për shtetin e Kosovës, ai të pyet a ke qenë në luftë, ti i thua jo nuk kam qenë, por Zajednica është e dëmshme, ai të pyet a je me Amerikën apo me Rusinë, ti i përgjigjesh sigurisht me Amerikën, por Zajednica e forcon Rusinë në Ballkan, ai të thotë se Albini po punon për Serbinë, ti i thua se kryeministri i tanishëm i Kosovës po e kundërshton Zajednicën që është projekt i Serbisë, ai të thotë se me Zajednicën Kosova bëhet shtet europian, ti i përgjigjesh se një asnjë shtet europian pakica prej pesë për qind e popullsisë nuk ka Zajednicë dhe se po të ishte kështu Zajednica duhet të kishte më së pari në Maqedoni të Veriut e në Serbi dhe ku ka përqindje më të larta të shqiptarëve, ai thotë për Serbinë nuk mund të flas, kurse Ali Ahmeti është burrë i mirë, ti thua ndoshta Ali Ahmeti është burrë i mirë për shtëpinë e vet, por ai e partia e tij nuk po e avancojnë statusin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, ai thotë se gjithsesi serbët duhen integruar, ti e kundërshton sepse Zajednica i izolon serbët prej shqiptarëve dhe bashkësive të tjera në Kosovë, ai të thotë se kokëfortësia e Albinit do ta izolojë Kosovën prej Europës dhe organizatave ndërkombëtare, ti nis t’i tregosh se Kosova ka marrëdhënie normale me shumicën e shteteve të Europës, se pengesë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare është bërë Serbia dhe pesë shtete europiane që nuk e njohin Kosovën, së bashku me Rusinë e Kinën, se Zajednica nuk sjell pranimin e shpejtë në NATO e OKB, ai të ndërpret duke pyetur po sikur Europa të mos na heqë vizat e ti i thua menjëherë se nuk i hoqi as kur u fal Çakorri dhe nuk bën të përsëritet i njëjti gabim, eh, thotë ai, jemi të vegjël e të mëdhenjtë duhen dëgjuar, ti i thua se Zajednica faktikisht e zvogëlon Kosovën, ai thotë jemi të dobët dhe nuk hahemi dot me Serbinë ti i thua se Zajednica e dobëson Kosovën para Serbisë, ai thotë nuk mundë të veprojmë vetëm e pa aleatë, ti i thua se aleatët nevojiten për të qëndruar dhe jo për t’u dorëzuar, ai të thotë se e kemi obligim t’i bindemi Amerikës se na çliroi, jo i thua ti, Amerikës i jemi mirënjohës dhe do t’i jemi mirënjohës përjetë, askush nuk na shkëput nga aleanca me Amerikën, mirëpo Zajednica zhbën Pakon Ahtisari, në bazë të të cilit Amerika na ka njohur si shtet, ai vazhdon të thotë Kosova është pjellë e Amerikës, ti tund kokën për ta pohuar disi këtë, por shton se edhe nënës nuk i lejohet ta vrasë fëmijën e vet, ai atëherë thotë se Amerika ka dhënë garanci se nuk ka përsëritje të Republikës Serbe në Kosovë, ti thua se këto janë vërtet deklarata të të dërguarve amerikanë, mirëpo planet për Zajednicën tregojnë se ajo është fotokopje e Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe këtë e ka pohuar së fundi vetë Milorad Dodiku, se Beogradi nuk po kërkon një shoqatë të çfarëdoshme të komunave, ai të thotë se gjithsesi se krijimi i Zajednicës është detyrim i Kosovës sipas ligjit ndërkombëtar, ti e hedh poshtë duke thënë se marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 nuk quhen marrëveshje ndërshtetërore për vetë faktin se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, ai thotë se Kuvendi e ka miratuar, ti i thua se Gjykata Kushtetuese është shprehur se Zajednica bie ndesh me jo më pak se 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, punë e madhe thotë ai, kushtetuta ndryshohet, ti i thua nuk ka arsye që Kosova ta ndryshojë kushtetutën e saj sipas kërkesave të Serbisë, sepse normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve nis në çastin kur Serbia e ndryshon nenin e kushtetutës së saj që e quan Kosovën si pjesë të shtetit, ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje! qysh herët ka bërë thirrje për ndryshim të disa nene të kushtetutës ahtisariane, ti i thua se është fjala për nene që janë vënë enkas për të penguar bashkimin me Shqipërinë, ai thotë ato nene janë të vlefshme edhe për ndonjë rikthim të mundshëm nën Serbinë, ti i thua me Serbinë ndarja është përfundimtare, ai të thotë që nuk është përfundimtare përderisa Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe po u krijua Zajednica vjen njohja nga Serbia, ti i thua se të dyja nuk janë të lidhura, ngaqë edhe sikur të ndodhë që në Serbi të ketë së shpejti një bashkëpëlqim qeveri-opozitë për ta ndryshuar kushtetutën në të mirë të Kosovës, gjithsesi Zajednica e mban Kosovën të lidhur pas Serbisë, ai thotë se serbët në veri do të ngrenë sërish barrikada, ti i përgjigjesh ndoshta, por Zajednica ka për të qenë barrikadë ndaj funksionimit të shtetësisë së Kosovës, ai të thotë fundja ç’punë kemi me shkijet në veri, le të bëjnë si të duan, të merremi me shqiptarët e Kosovës, ti i thua se serbët që jetojnë në Kosovë janë qytetarë të shtetit dhe duhet të kenë të drejta të njëjta me shumicën dhe barazinë para ligjit, por jo të kthehen në një super-pakicë që, bashkë me Beogradin, të kontrollojnë pasuritë e Trepçës, Ujmanin, Brezovicën etj., ai thotë se duhet edhe një kompromis i fundit i dhimbshëm prej Kosovës, ti e pyet a është vërtet ky kompromisi i fundit i dhimbshëm, xhanëm sa kompromise të dhimbshme duhet të bëjë Kosova, ai të thotë epo t’i japim edhe diçka Serbisë që ta heqim qafet njëherë e përgjithmonë, ti thua se Serbia nuk ka çfarë merr më në Kosovë por duhet të japë trupat e shqiptarëve të zhdukur, pastaj artefaktet, pastaj dëmshpërblime për shkatërrimet, ai ta kthen se këto janë të parealizueshme dhe Albini do të dorëzohet, ti e kundërshton sepse Lëvizja Vetëvendosje! qysh nga themelimi i saj e ka luftuar Zajednicën dhe ndarjen e Kosovës në vija etnike, ai thotë Albini është majtist ekstremist e nuk e do Perëndimi, ti i përgjigjesh që kryeministri i tanishëm i Kosovës e ka treguar veten partner të besueshëm të Perëndimit, por që gjithsesi kundërshtimi ndaj Zajednicës nuk ka të bëjë me ndarjen majtas-djathtas, por me shtet-formimin e Kosovës dhe mbrojtjen e interesit kombëtar, atëherë, thotë ai, do të bjerë qeveria e do të ketë zgjedhje të reja, ti nënqesh e i thua se qeveria po punon normalisht, por edhe sikur të ketë zgjedhje të reja së afërmi, Lëvizja Vetëvendosje! do të fitojë më thellë, por edhe sikur të mos fitojë, përvoja ka treguar se Zajednica nuk është realizuar me Lëvizjen Vetëvendosje! në opozitë, ai hidhet e thotë mjaft pamë nga e kaluara, të shohim nga e ardhmja, ti i thua po nuk nxorëm mësime nga e kaluara rrezikojmë që e ardhmja t’i ngjajë asaj, ai thotë po na jep mend prej Tiranës, ku ke luftuar ti, ushtar i kujt ke qenë, ti e përsërit që nuk ke qenë në luftën e Kosovës, por ata që luftuan a do ta lejojnë Zajednicën në paqe, ai nis e tallet, të thotë se qenke ushtar i Markut të Fejsbukut, ti ia kujton se gjithsesi komunikimi midis jush po ndodh përmes shpikjes së Markut, mirëpo tani çështja nuk është se kush ka luftuar atëherë, por që t’u qëndrohet idealeve që frymëzuan luftën, se kur nuk kishte shtet disa nuk pranuan të dorëzoheshin dhe morën armët për lirinë dhe shtetin, ndërsa tani disa të tjerë po kërkojnë që të dorëzohet shteti, ai ta kthen mos më fol për shtet se ju në Shqipëri ende keni mbetur shtet në tentativë edhe pas një shekulli, ti i thua se të bëhet zemra mal për çdo përparim të shtetit të ri të Kosovës dhe se kjo është një ndihmë e vyer edhe për përmirësimin e mundshëm të politikës në Shqipëri, ec pra, thotë ai, merru me Shqipërinë, pse ngatërrohesh me Kosovën, ti nuk prekesh aspak nga fjalët e tij dhe i përgjigjesh se ti i bashkohesh qëndresës kombëtare, kudo që ajo formohet si reagim i natyrshëm ndaj sulmeve që po i vijnë trojeve shqiptare, e pse, pyet ai, Shqipëria është në krah të Serbisë me “Ballkanin e hapur”, ti i përgjigjesh se populli i Shqipërisë me zemër është dhe do të jetë me Kosovën, por fatkeqësisht është vënë përfund nga një klikë politikanësh e ngjashme me regjimin e vjetër në Kosovë, i cili e shihte vendin si një plaçkë për ta plaçkitur e për ta ndarë me Serbinë, ai thotë……

Gogoli në politikën shqiptare

Më sipër është një dialog imagjinar midis dy personave, si ato që rëndom gjejmë nëpër rrjetet socio-virtuale. Në fakt në të kam përfshirë jo pak fraza nga postime dhe komente që kam shkëmbyer gjatë javëve të fundit me disa shqiptarë, përmes llogarisë sime në “Facebook”. Dikush pasi e ka lexuar pjesën e sipërme të artikullit mund të më akuzojë që palën tjetër (“ai thotë…”) e kam paraqitur si karikaturë, sepse frazat e saj duken pa koherencë logjike, të ekzagjeruara e ndonjëherë qesharake, ndërsa alter egos në dialog (“ti thua…”) i kam lënë arsyetime më të shtjelluara e më koherente, madje edhe togfjalësha të theksuar mbi tiparet dhe rreziqet e Zajednicës. Sigurisht që nuk kam pasur ndërmend të sjell këtu paanshëm dy krahët e debatit. Mendimi im është i qartë në këtë pikë, ashtu sikurse lexohen qartë frazat e theksuara me të zezë në sipër. Po t’i bashkojmë ato dalim në këtë përfundim: Zajednica nuk është një shoqatë e thjeshtë e komunave, por është projekt i Serbisë për të krijuar një njësi territoriale autonome njëlloj si Republike Serbë në Bosnjë-Hercegovinë; synimi i Serbisë është që të kontrollojë një pjesë të mirë të territorit të Kosovës, së bashku me burimet që gjenden në të: Trepça, Ujmani etj., të pengojë integrimin e serbëve me pjesën tjetër të shtetit dhe të vijojë me planin e mëtejshëm që në rrethana të përshtatshme ndërkombëtare komunat veriore të bëhen pjesë integrale e Serbisë; Zajednica e dobëson shtetin e Kosovës dhe është premisë për zvogëlimin e ardhshëm të territorit; Zajednica, ashtu siç është nënshkruar nga Thaçi dhe Mustafa, shkon përtej parimeve shumetnike që përmban Pakoja e Ahtisarit; Zajednica do të kthehet në një barrikadë institucionale për shtetësinë e Kosovës dhe ka gjasë që e gjithë Kosova të mbetet peng i vendimeve që do të merren në Beograd, pavarësisht nëse Serbia e njeh ose jo Kosovën; Zajednica bie ndesh me 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, prandaj refuzimi i saj është detyrë shtetërore dhe kombëtare, të cilën Lëvizja Vetëvendosje! e ka kryer në opozitë dhe po e kryen edhe në qeverisje; logjikisht lidhje të fuqishme institucionale të komunave dhe kompetenca si të Zajednicës duhet të kenë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duhet të kërkohet që një organizim i tillë Serbia ta pranojë për komunat në Luginën e Preshevës.

Gjithsesi, përtej anshmërisë sime, është e vërtetë se pala tjetër (“ai thotë…”) realisht nuk ka një ligjëratë logjike e të përpunuar, por vepron me fraza të shkëputura. Edhe ata që janë shprehur se janë pro Zajednicës dhe ata që nuk kanë guximin për ta pohuar këtë gjë, nuk sjellin argumente të qenësishme se çfarë përfiton Kosova prej zbatimit të saj, ngaqë edhe njohja nga Serbia nuk është në horizont dhe as i kundërshtojnë arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese për të. Ata thjesht i bombardojnë qytetarët e Kosovës me fraza mbi dobësinë e Kosovës përballë SHBA dhe Bashkimit Europian, duke dashur që ngjallin frikën te ta se Kosovën do ta lënë vetëm përballë Serbisë. Në mënyrë figurative, pala tjetër (“ai thotë…”) e trajton popullin e Kosovës si një fëmijë dhe kërkon ta trembë duke thirrur “Gogoli, gogoli”. Kjo është një situatë e përsëritur në historinë e shqiptarëve, që e ka përshkruar mjaft mirë Sali Nivica, një gazetar i talentuar dhe anëtar i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës, në artikullin “Gogoli” të botuar te gazeta Populli, më 14.06.1915 (me gjasë ky artikull ka frymëzuar Migjenin për të shkruar tregimin e tij të shkurtër me të njëjtin titull). Nivica shkruan se gogoli përfytyrohet si një shtazë e madhe, e zezë dhe e tmerrshme, me të cilën nënat frikësojnë fëmijët e vegjël dhe i bëjnë të rrinë urtë. Mirëpo, “Gogoli i shërben edhe kanji herë politikës. Ka politikë qi e mbaron punen e vet tue përdorue Gogolin” (shih te publicistika e zgjedhur e Nivicës, e përfshirë te libri i Ylber Skëndit Sali Nivica, Tiranë, 1980, f. 207-210). Duke përshkruar situatën e atëhershme të Shqipërisë, të pushtuar nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore, Nivica me ironi shkruan se nëse për ta nxjerrë jashtë gogolin Greqi shqiptarëve u nevojitet një gogoli Itali, për ta nxjerrë jashtë këtë të fundit atyre u nevojitet një gogol edhe më i madh.

Në ditët tona, kundërshtarët e kundërshtarëve të Zajednicës nuk po bëjnë tjetër veçse po tundin para shqiptarëve të Kosovës gogolin e Serbisë, për të cilët ata thonë se Kosova ka nevojë për Amerikën, duke e kthyer edhe këtë të fundit në një gogol më të madh, që duhet t’ia ndërsejmë Serbisë dhe të shmangim që të na ndërsehet neve. Sigurisht që kjo është një sjellje parapolitike, se kundërshtarët e kundërshtarëve të Zajednicës janë të parët që nuk e marrin seriozisht shtetin e pavarur dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Mjerisht, shumë prej politikanëve të opozitës në Kosovë nuk janë shkëputur ende nga mendësia e autonomisë! Edhe pas 15 viteve republikë, ata nuk janë mësuar ende të mendojnë dhe veprojnë me shtet, por kanë mbetur te “derdi i shqiptarit”, siç e quan Nivica në një artikull tjetër mendësinë e shqiptarit për të pasur medoemos një mik, të kuptohemi jo një mik politik, pra aleat të kombit e të shtetit, por një mik për vete e për familjen e tij, një mik që ta nxjerrë nga balta e ta favorizojë, edhe kundrejt shqiptarëve të tjerë. Me këtë mendësi të kërkimit të një “miku” personal, politikanë në Kosovë (dhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut), besojnë se, me fjalët e Nivicës, “politika asht vetëm rrenë e hypokrisië. Me ba politikë… asht nji punë në kundërshtim të plotë me trimnië e me fisnikië e i mieri nuk ka diitë me u siellë europianit ashtu si e kërkon hollësia e shpirtit e këtii të mbramit” (po aty, f. 246). Nuk ka sesi të mos vëresh metodat korruptive me të cilat kryeministri i tanishëm i Shqipërisë e ndoshta kryeministra të tjerë para tij kanë siguruar “miq” në rangjet e larta të administratës federale amerikane (në rastin konkret në FBI) që këta “miq”, në emër të Amerikës, të sulmojnë opozitën politike në Shqipëri. Nuk ka sesi të mos kujtosh se si politikanët e LDK-së i besuan qorrazi mesazheve telefonike të emisarit amerikan Grenell dhe rrëzuan koalicionin qeverisës më Lëvizjen Vetëvendosje!

Këto ngjarje kaq të papëlqyera dhe me pasoja të dëmshme tregojnë se përfaqësuesit shtetërorë e politikë të Kosovës duhet t’i trajtojnë me kujdes marrëdhëniet me SHBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, shtete që kanë ndikim në procesin e dialogut me Serbinë. Diplomacia e Kosovës me në krye kryeministrin Kurti e kanë bërë të qartë që nga dialogu kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme me garanci ndërkombëtare dhe jo zgjidhje të shpejta të ngërçit të tanishëm. Territori dhe sovraniteti i Kosovës nuk mund të shërbejë si monedha shkëmbimi për ta larguar Serbinë prej Rusisë. Zgjidhje të shpejta që diplomacia ndërkombëtare i ka dhënë situatave urgjente në Ballkan ne shqiptarët po i vuajmë ende sot. Kompromisi i vitit 1913 për kufijtë e Shqipërisë u arrit që fuqitë e mëdha të kohës të shmangnin luftën botërore. Mirëpo ato vetëm sa e shtynë luftën e tyre për një vit, ndërkohë që shqiptarët e mbetur në Jugosllavi dhe Greqi u përballën me gjenocide deri në fund të shekullit.

Në mënyrë të ngjashme, sot diplomacia amerikane dhe ajo europiane po ushtron presion mbi palën më të dobët, por njëkohësisht mbi shtetin më demokratik dhe në Ballkanin Perëndimor. Njohja e dyanshme si qëllim final nuk po përmendet më, as në planin e shumëpërfolur franko-gjerman, por vetëm Zajednica e kërkuar nga Serbia. Detyra e përfaqësuesve institucionalë të Kosovës është që të qëndrojnë dhe të mos ta zbatojnë një ndarje të re të territorit, që do të shënojë edhe një varësi të një lloji të ri të Kosovës ndaj Serbisë. Ndërsa opozita në Kosovë po përpiqet ta sabotojë qëndresën duke thirrur “gogolin”. Kjo tregon se opozita nuk ka asnjë projekt për të ardhmen, por po vegjeton në të tashmen. Ajo po tregohet e gatshme për pranimin e çdo “kompromisi” që realisht mbyll horizontin e zhvillimit të shtetit të Kosovës. Ndoshta do të vijë një ditë kur LDK e PDK do ta kuptojnë se nuk mund të vegjetojnë gjatë pa u kalbur, por do të jetë vonë. Të shpresojmë se kalbëzimi i tyre nuk do ta prekë shta(e)tin e Kosovës. /shenja