Google zbulon rivalin e ChatGPT

Nëse Google shkon drejt inkorporimit të AI në kërkimin online, mund të vijë me disa rreziqe. Sepse këto mjete janë trajnuar me të dhëna online dhe ekspertët paralajmërojnë për përhapje të mundshme të informacioneve të rreme ose nxisë paragjykime

Ditën Hënë Google prezantoi një robot komunikimi quajtur “Bard” si përpjekje për të konkurruar me suksesin viral të ChatGPT. Sundar Pichai, CEO i Google dhe kompanisë mëmë Alphabet tha përmes një postimi në blog se Bard do të hapet për “testuesit e besueshëm” duke filluar nga dita e Hënë ndërsa planet e kompanisë janë që ta bëjë të disponueshëm për publikun në “javët në vijim.”

Njëlloj si ChatGPT, që u lançua në Nëntor nga kompania kërkimore në inteligjencë artificiale OpenAI, Bard është i ndërtuar mbi një model të madh gjuhësor. Këto modele trajnohen me sasi të mëdha të dhënash online në mënyrë që tu japin përgjigje pyetjeve të përdoruesve.

“Bard kërkon të kombinojë gjerësinë e njohurive të botës me fuqinë, inteligjencën dhe kreativitetin e modeleve tona të mëdha gjuhësore,” shkruante Pichai. “Mbështetet në informacionin në ueb për të ofruar përgjigje të freskëta dhe me cilësi të lartë.”

Njoftimi vjen ndërsa produkti kryesor i Google – kërkimi online, mendohet se po përballet me rrezikun më të madh ndër vite. Në vetëm dy muaj nga lançimi për publikun, ChatGPT është përdorur për të gjeneruar ese, histori, tekste këngësh dhe për t’ju përgjigjur disa pyetjeve që dikush mund të kishte kërkuar më parë në Google.

Vëmendja e madhe që ChatGPT mori ka bërë që drejtuesit e Google të deklarojnë “kodin e kuq” lidhur me situatën me të cilën përballet biznesi i kërkimit. Në një cicërimë vitin e kaluar, Paul Buchheit, një prej krijuesve të Gmail, paralajmëroi se Google mund të ishte vetëm një apo dy vite larg një përçarjeje për shkak të ngritjes së AI.

Teknologjia që mbështet Bard ka qenë e disponueshme prej kohësh edhe pse jo gjerësisht e disponueshme për publikun. Google prezantoi Language Model for Dialogue Applications (ose LaMDA) dy vite më parë dhe tha ditën e Hënë se kjo teknologji fuqizon Bard. LaMDA pushtoi titujt e lajmeve vitin e kaluar kur një ish inxhinier i Google pretendoi se roboti i kërkimit ishte i ndjeshëm. Pretendimet e tij u kritikuan gjerësisht në komunitetin AI.

Në postimin e ditës së Hënë Google ofroi një shembull të një përdoruesi që pyet Bard për të shpjeguar zbulimet e reja bërë nga Teleskopi James Webb i NASA në një mënyrë që një 9-vjeçar mund ti kuptojë. Bard përgjigjet me pika bashkëbisedimi. E para lexon: “Në 2023, JWST zbulon një numër galaktikash me pseudonimin “bizele të gjelbra.” Atyre ju tha ky emër sepse ishin të vogla, rrumbullake dhe jeshile njësoj si bizelet.”

Bard mund të përdoret për të planifikuar një dush për fëmijën e një miku, krahasuar dy filma të nominuar për Oscar ose për të dhënë ide për tavolinë e drekës bazuar në atë çfarë gjendet në frigoriferin tuaj sipas postimit të Google.

Pichai tha ditën e Hënë se mjetet e fuqizuara nga inteligjenca artificiale së shpejti do të mbërrijnë në motorin e kërkimit të Google.

“Së shpejti do të shikoni funksionalitete të fuqizuara nga AI në Search që zbulojnë informacione komplekse dhe perspektiva të ndryshme në formate lehtësisht të kuptueshme në mënyrë që të keni një ide të panoramës së përgjithshme dhe të mësoni më shumë nga uebi,” shkruante Pichai. “Mund të jenë perspektiva të ndryshme, si blogje nga njerëz të cilët luajnë piano dhe kitarë, ose të shkojë më thellë në disa tematika si hapat që duhen ndërmarrë marrë nga një fillestar.”

Nëse Google shkon drejt inkorporimit të AI në kërkimin online, mund të vijë me disa rreziqe. Sepse këto mjete janë trajnuar me të dhëna online dhe ekspertët paralajmërojnë për përhapje të mundshme të informacioneve të rreme ose nxisë paragjykime.

“Është kritike,” shkruante Pichai, “që ne të sjellim eksperienca bazuar në këto modele në një mënyrë të përgjegjshme.