Grabitësit vjedhin 35 milionë dollarë para dhe sende me vlerë në një bankë në Gjermani

Disa grabitësit vodhën rreth 30 milionë euro (afër 35 milionë dollarë) para të gatshme dhe sende me vlerë pasi thyen kasafortën në një degë banke kursimi në qytetin perëndimor gjerman Gelsenkirchen, transmeton Anadolu.

Mediat lokale raportojnë se sipas policisë rreth 3.200 kuti të sigurisë u thyen, duke prekur më shumë se 2.500 persona.

Krimi, i zbuluar mbrëmë, konsiderohet një nga grabitjet më të mëdha në historinë kriminale të Gjermanisë.

Policia po ndjek tani një pistë konkrete, pasi dëshmitarë raportuan se kishin parë disa burra me çanta të mëdha në shkallët e një garazhi parkimi ngjitur me bankën natën e të shtunës.

– Policia e përshkruan grabitjen si “shumë profesionale”

Video pamjet nga garazhi i parkimit treguan një makinë të zezë duke u larguar nga garazhi herët të hënën në mëngjes, ndërsa policia raportoi se në makinë ndodheshin persona të maskuar, njëri prej të cilëve operonte barrierën e daljes. Targa e automjetit ishte vjedhur më herët në qytetin verior të Hanoverit.

Një zëdhënës i policisë tha se hyrja me forcë ishte “në të vërtetë shumë profesionale”.

“Duhet të ketë pasur shumë njohuri paraprake dhe energji kriminale për planifikimin dhe më pas realizimin e këtij operacioni”, tha zëdhënësi, i cili nuk u identifikua.

Sipas gjetjeve fillestare, grabitësit kaluan në një dhomë arkivi përmes një garazhi parkimi dhe disa dyerve, ku përdorën një shpues të posaçëm për të çarë një mur dhe për të hyrë në kasafortë. Policia siguroi prova në vendngjarje të hënën.

– Klientë të zemëruar tentojnë të hyjnë me forcë në bankë

Sot, shumë persona të zemëruar u mblodhën sërish përpara degës në lagjen Buer duke kërkuar informacione pas grabitjes.

Numri i njerëzve që prisnin në të ftohtë raportohet se u rrit në rreth 200 persona, ndërsa turma brohoriste “Duam të hyjmë, duam të hyjmë”.

Situata rrezikoi të përshkallëzohej, pasi disa persona arritën të kalonin punonjësit e kompanisë së sigurisë dhe të hynin në hollin e bankës, ndërkohë që policia u dislokua në hyrje.