Protestat në sektorin bujqësor në Greqi u intensifikuan sot përreth portit të qytetit Volos, raporton Anadolu
Në mëngjes, një numër i madh fermerësh dhe blegtorësh u mblodhën në zonë dhe bllokuan hyrjet kryesore të Portit të Volosit me traktorë, duke ndaluar trafikun.
Edhe peshkatarët në rajon mbështetën gjithashtu aksionin nga deti duke i pozicionuar anijet e tyre në det të hapur.
Për shkak të demonstratës, e cila u prit me masa të gjera sigurie nga policia, porti mbeti i mbyllur për afërsisht 5 orë.
Fermerët më vonë u shpërndanë, duke lejuar rihapjen e portit.
Dimitris Kalogeropulos, një nga fermerët pjesëmarrës, tha për Anadolu se “Jemi në një situatë të vështirë, duhet të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet. Mbyllja e portit nuk është e lehtë për ne, por nuk kemi zgjidhje tjetër”.
Ndërsa Nikos Stavrianos, një peshkatar nga Volosi, deklaroi se “Fermerët nuk janë vetëm, po përjetojmë të njëjtat probleme. Kjo është arsyeja pse ishte detyra jonë të ofronim mbështetje nga deti”.
– Pritet mbyllja e Portit të Selanikut
Fermerët pritet që ditën e të premte të mbyllin Portin e Selanikut.
Fermerët që protestojnë në të gjithë Greqinë herë pas here bllokojnë autostradat ndërqytetase, aeroportet dhe pikat kufitare.
Fermerët kërkojnë lirimin e subvencioneve që janë vonuar për shkak të akuzave për korrupsion në programet e ndihmës shtetërore dhe zbatimin e rregulloreve për të ulur kostot e larta të prodhimit.







