Shërbimet publike, transporti detar, hekurudhor dhe urban si dhe shumica e kompanive private në Greqi nuk funksionuan sot për shkak të një greve të përgjithshme 24-orëshe të thirrur nga sindikatat private dhe publike për të protestuar kundër inflacionit rekord dhe rritjes së çmimeve.
Edhe gjatë paradave tradicionale të Ditës Ndërkombëtare të Punës, dje, rreth 9 000 demonstrues mbushën rrugët e Athinës duke kërkuar më shumë masa nga qeveria greke për të mbrojtur fuqinë blerëse përballë ndikimit të inflacionit tek familjet.
Inflacioni në Greqi arriti në 9,4% në prill, sipas zyrës evropiane të statistikave Eurostat, një shifër shumë më e lartë se mesatarja evropiane prej 7,5%.
Në mars, sipas të njëjtit burim, vetëm çmimet e energjisë elektrike nuk ishin shumë larg dyfishimit, me plus 79,3% në bazë vjetore, në sfondin e rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës.
Qeveria greke ka dhënë ndihma sociale prej katër miliardë eurosh për të përballuar inflacionin e shfrenuar.
Më 1 maj është rritur edhe paga minimale me 50 euro në muaj dhe tani është 713 euro bruto.
Por, sindikatat dhe opozita e majtë i konsiderojnë këto masa të pamjaftueshme dhe kërkojnë veçanërisht që paga minimale të rritet në 825 euro bruto në muaj. /atsh


