Haki ef. Sermaxhaj tërë jetën ia kushtoi shkollimit, edukimit fetar dhe çlirimit të atdheut

(Në përvjetorin e 75-të të vdekjes, mbytjes mizore të patriotit dhe atdhetarit të shquar të çështjes kombëtare dhe fetare të Anamoravës e Gjilanit, Myderriz Haki ef. Sermaxhajn, në burgun e Mitrovicës së Sremit).

Qëndresa dhe mos pajtimi i vazhdueshëm ndaj pushtuesve të njëpasnjëshëm, të popullit tonë ka bërë që nga ai të dalin udhëheqës, luftëtarë trima e atdhetarë të mëdhenj që i shënon historia për kontributin e dhënë në realizimin e aspiratave tona shekullore – çlirimin e atdheut nga pushtuesi serbosllav.

Njeri nga trimat e atdhetarët e qëndresës shekullore, është edhe Myderiz Haki ef. Sermaxhaj nga Hogoshti. Ai dhe familja e tij, prej para Luftës së Dytë Botërore jeton në Gjilan.

Myderriz Haki effendi Sermaxhaj ishte nxënës e më vonë edhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mulla Idriz Gjilanit, si në luftë, po ashtu edhe në profesion e shkollë, ligjërues në Medresen e Gjilanit.

Ishte dorë e djathtë e tij ngase nga ai kishte marrë edukatën dhe mësimet e para fetare.

Në Medresenë e hapur në Gjilan, Myderriz Haki Efendia, pasi që ishte kthyer nga shkollimi (kishte kryer Medresen “Medah” në Shkup), diku në prag të Luftës së Dytë Botërore, së bashku me Mulla Idriz Gjilanin, ishin të parët që kishin aplikuar lëndën e gjuhës shqipe si të rregullt.

Po kush ishte Haki Efendi Sermaxhaj?

Intelektuali dhe patrioti i shquar i Anamoravës Haki ef. Sermaxhaj u lind në vitin 1914 në fshatin Hogosht të Dardanës (ish Kamenicë).

Rrjedh nga një familje përparimtare -arsimdashëse e fetare islame.

Mësimet e para fetare i mori nga imamët e xhamisë të fshatit Hogosht si: Mulla Shaban Sermaxhaj (i afërm i familjes së tij) Mulla Rexhep Vranja (personalitet fetar që kishte kryer studimet në Stamboll), së fundi edhe nga imami i ri Mulla Idris Gjilani.

Babai i tij Taipi ishte ithtar i flaktë i arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe.

Përkundër kësaj, asokohe nuk funksiononin shkollat shqipe. Babai Taipi veproi dhe Hakiun, fëmijën e tij të parë e dërgoi në shkollën ekzistuese në fshatin e tij, Hogosht, në gjuhën serbe.

Hakiu shkollën fillore serbe e kreu me sukses të shkëlqyeshëm dhe ishte nxënësi më i mirë në shkollë.

Duke e parë këtë si dhe me një ndikim të madh që pati tek Taipi (babai i Hakiut), Mulla Idris Gjilani, i cili në atë kohë ishte imam në xhaminë e Hogoshtit, si dhe vendosmëria e tij prej një arsimdashësi për çka edhe kishte deklaruar më parë se: ”Po qe nevoja edhe shtëpinë kam me shitur me e shkollua Hakiun”, Hakiun e dërgon në shkollim të mëtejmë në Medresen “Medah” në Shkup.

Medresen “Medah” të Shkupit e kryen në vitin 1940 dhe kthehet menjëherë në Hogosht për pak kohë e për të vazhduar pastaj në Gjilan shpërndarjen e diturisë që kishte fituar nga myderizët e njohur të medresës në zë si Atullah effendi Kurtishi (i cili ishte edhe rithemelues i Medreses “Medah”) e të tjerë.

Një kohë të shkurtër kishte shërbyer si imam në xhaminë “Atik” në Gjilan.

Medreseja “Medah” e Shkupit jo vetëm që ishte shkollë fetare, por ajo ishte çerdhe e edukimit patriotik e atdhetarë të të gjithë myslimanëve shqiptarë që e kryenin këtë Medrese.

E tërë kjo tek Hakiu kishte lënë mbresa të pashlyeshme në vetëdijet e tij prej një personaliteti me përcaktim të qartë fetar politik, patriotik e atdhetar gjë që e cyti Haki efendiun të hap Medresen “Atik” në Gjilan, ndër medresetë e para në regjion (ndoshta edhe më gjerë) pasi që ato ishin mbyllur nga mbretëria sërbosllave, ku për Myderriz ishte zgjedhur Haki efendiu.

Hapjen e Medresesë “Atik” në Gjilan regjimi i atëhershëm nuk e shikoi me sy të mirë dhe prej këtu edhe filluan përndjekjet, meltretimet e më vonë edhe burgosjet e myderiz Haki efendiut.

Përkundër kësaj ai i kishte dhënë detyrë vetes si dhe ishte betuar se tërë jetën do t’ia kushtoi shkollimit, edukimit fetar si dhe çlirimit të atdheut.

Këtë e kishte edhe porosi nga mësuesi i tij, Atulla Efendi Kurtishi, i cili para se të ndërrojë jetë kishte lënë një amanet për nxënësit e tij që të mos i braktisin trojet e veta, të cilat me gjak i kanë mbrojtur gjyshërit e stërgjyshërit tanë.

Myderiz Haki efendiu në Medresenë “Atik “ të Gjilanit futi edhe mësimin në Gjuhën shqipe ku për mësues angazhoi mësuesit nga Shqipëria si: Malo Becin, Hasan Dulgjerin e të tjerë.

Myderris në Medresen “Atik” ishte deri në vitin 1946 kur edhe e burgosin, për veprimtari armiqësore kundër shtetit sërbosllav, në krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Haki Efendiu ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Mulla Idriz Gjilanit, pastaj me Mulla Riza Poliqkën-Shurdhanin, Mulla Riza Marevcin, Mulla Hysen Islam Zhujën (Osmanin), me Hafëz Nexhatiun e Preshevës, me të cilët pos atdhedashurisë dhe kauzës kombëtare i lidhte edhe profesioni dhe feja si dhe me Gjon Sereqin, në kuadër të Lëvizjes NDSH në këto anë të Kosovës.

Burgosja e Haki efendiut në gusht të vitit 1946 bëri bujë të madhe tek popullata e kësaj ane.

Kur ai u Transferua nga burgu i Gjilanit në atë të Ferizajt e më pas në atë të Idrizovës në Kalanë e Shkupit e përshkruajmë një ngjarje (tregon biri i tij, Irfani) që e kishin dëgjuar kalimtarët e rastit që e kishin parë internimin e Myderriz Haki efendiut për në Burgun e Idrizovës në Shkup.

Njeri nga qytetarët (me kombësi sërbe) i cili e kishte njohur Haki efendiun i kishte pyetur bashkëqytetarët e bashkëkombësit e tij: ”A ju ka dhimbsur Hakiu”, duke mos pritur përgjigjen e tyre kishte theksuar vet se: ”Jo, jo pak ju paska dhimbsur ai juve, pasi që vet ju pak bëtë për te.”

Për Myderriz Haki efendiun fatale ishte qëndrimi i tij në burgun e Idrizovës në Kalanë e Shkupit. Këtu maltretimet, dhuna e reprezaljet në qeli nuk iu ndalën për 52 ditë radhazi.

Gjatë kësaj periudhe ai u sëmurë rënd nga tuberkulozi sa që edhe kur erdhi dita e gjykimit ai ishte i shtruar në spital.

Ishte dënuar me vdekje, tregon djali i tij Irfani, por pasi që ishte i sëmurë rëndë, dënimin ia kishin zbutur në 20 vjet burgim – heqje lirie.

Menjëherë e dërguan në vuajtje të dënimit nëpër kazamatet jugosllave si në burgun e Nishit për të përfunduar pastaj në burgun e Mitrovicës së Sremit në vitin 1947.

Në Këte burg nuk mundi tu qëndroi shumë rrahjeve, torturave e maltretimeve të njëpasnjëshme, të cilat e quan deri në vdekje, dhe pushteti i atëhershëm e bëri atë që deshi-e mbyti mizorisht.

Myderriz Haki efendiu ndërron jetë në vitin 1948 dhe varroset po në qytetin e Mitrovicës së Sremit, duke mos lajmëruar familjen e askënd nga të afërmit e tij për vdekjen e tij (çka edhe mbetet enigmë e tërë ngjarje e vdekjes së tij) dhe sot e kësaj dite kur nuk i dihet varri i tij.

Myderriz Haki efendiu ishte njeri ndër kolosët fetar të regjionit të Anamoravës, kishte një edukatë të lartë fetare, i devotshëm, njeri i arsimuar, intelektual, human, trim, atdhetar e patriot i shquar, i cili një jetë të tërë ia kushtoi dhe e flijoi për çlirimin e atdheut.

Myderriz Haki efendiu një javë para vdekjes u kishte lënë amanet shokëve të tij në burgun e Mitrovicës së Sremit se: ”Për atdhe duhet të flijojmë gjithçka, pasurinë, evladët, jetën…..Vetëm liria e atdheut i ka rrënjët në gjak dhe vetëm sakrifica e bijve të tij e rrisin atë”.

E pëkujtojmë sot, Myderriz Haki effendi Sermaxhajn, këtë kolos, patriot të ceshtjes kombëtare dhe fetare të kësaj ane në përvjetorin e 72-të (27 janar 1948) të mbytjes më mizore nga pushtuesi serbosllav deri sa ishte i burgosur në burgun e Mitrovicës së Sremit.

Por… a thua se mjafton kolosin si ky vetëm ta përkujtojmë me një shkrim vetëm në përvjetorët e vdekjes apo të lindjes së tij.

Edhe këto përkujtime me shkrim janë të here pas herëshme.

Pos kësaj, për Myderriz Haki effendi Sermaxhajn pothuajse nuk është bërë asgjë, me asnjë lavdatë e dekoratë nuk është shpërblyer për punën dhe veprën e sakrificën ma sublime e bërë për këtë liri, për këtë shtet që ne e gëzojmë sot.

Është e rrugës që tani të ndermerret iniciativa për emrimin e e ndonjë institucioni shkollor apo kulturor apo të ngritjes së ndonjë përmendoreje apo kthimin, së paku të eshtrave të këtij kolosi në Kosovë.

Të plotësojmë me këtë një amanet të tij. Dhe jo vetëm ndaj këtyre dy dëshmorëve të lirisë që i përmendëm, por edhe ndaj të gjithë dëshmorëve të tjerë-mendoj se është koha t`i nderojmë në nivelin që e meritojnë,
Por kush duhet organizuar e mbajtur apo kush duhet të ndërmarr këtë iniciativë.

Gjithsesi atë së pari duhet ndërmarrë në radhë të parë organet komunale, Organizatat e Luftëtarëve, si dhe BIK-u apo edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjilanit, apo edhe ata të KBI-së të Kamenicës, prej nga është origjina e tij.

Të mbetet e gjithë kjo si përkujtues për ata që e kanë për detyrë e besa edhe obligim për të marrë diç më konkrete në këtë drejtim.

Nga: Islam Osmani /mediafokus