Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hamasi: Sulmi izraelit në kampin e refugjatëve në Liban, “krim kundër civilëve”

Hamasi: Sulmi izraelit në kampin e refugjatëve në Liban, “krim kundër civilëve”

Two people were killed and three others injured in an Israeli drone strike on the camp, according to the Palestinian Red Crescent in Ain al-Hilweh. / Reuters

Lëvizja palestineze Hamas ka hedhur poshtë pretendimet e Izraelit se sulmi ndaj kampit të refugjatëve Ain al-Hilweh në jug të Libanit kishte në shënjestër një qendër komanduese të saj, duke e cilësuar sulmin si “krim kundër civilëve” dhe shkelje të sovranitetit të Libanit.

Në një deklaratë, Hamasi e dënoi sulmin si “agresion brutal” nga ushtria izraelite ndaj kampit në qytetin e Sidonit, duke theksuar se si pasojë pati të vrarë dhe të plagosur civilë.

“Shënjestrimi i një kampi që strehon mijëra refugjatë palestinezë dhe është i populluar dendur përbën përshkallëzim të rrezikshëm dhe shpërfillje të hapur të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Hamasi mohoi akuzat izraelite se objekti i goditur ishte një strukturë e tij, duke i quajtur ato “pretekste të pabazuara që nuk qëndrojnë përballë fakteve”. Sipas tij, ndërtesa e sulmuar i përkiste një force të përbashkët sigurie që merret me ruajtjen e rendit dhe stabilitetit brenda kampit.

Dy të vrarë, disa të plagosur

Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në Ain al-Hilweh, dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën nga një sulm me dron izraelit mbi kampin.

Agjencia zyrtare libaneze e lajmeve raportoi se sulmi goditi lagjen Hittin brenda kampit, duke shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e synuar dhe objektet përreth.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur një qendër komanduese të Hamasit në zonën e Ain al-Hilweh.

Sulme të mëparshme dhe tensione të vazhdueshme

Në nëntor 2025, ushtria izraelite kreu një sulm të ngjashëm në të njëjtën zonë, ku sipas raportimeve u vranë të paktën 13 persona dhe u plagosën disa të tjerë. Atëherë, Izraeli pretendoi se kishte në shënjestër anëtarë të Hamasit brenda kampit, ndërsa Hamasi deklaroi se ishte sulmuar një grup të rinjsh në një fushë sportive.

Sulmi i fundit ndodh mes shkeljeve të përsëritura të armëpushimit të arritur në nëntor 2024. Sipas burimeve libaneze, përplasjet dhe sulmet kanë lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.

Izraeli vazhdon të mbajë nën kontroll pesë kodra në territorin libanez të pushtuara gjatë luftës së fundit, si dhe zona të tjera që i mban prej dekadash, duke e mbajtur situatën e sigurisë në kufirin jugor të Libanit të tensionuar. /mesazhi