Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, po shkon pa paragjykime, duke shprehur shpresën se ai do të kontribuojë në zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.
Para nisjes së takimit, Hamza tha se prioritet mbetet interesi i vendit dhe funksionalizimi i institucioneve.
“Ne po shkojmë me iu përgjigj ftesës pa paragjykuar. Uroj dhe besoj që me pasë sukses, me pasë progres, vendi me pasë institucione, me pasë stabilitet institucional edhe me pasë progres e përparim”, u shpreh Hamza.
Ai theksoi se në këto diskutime nuk bëhet fjalë për ndarje pozicionesh apo emrash, por për parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet bashkëpunimi politik.
“Ne s’po flasim as për pozicione, as për emra, po flasim për parime”, deklaroi ai.
Hamza përsëriti se nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë partie politike dhe se është i gatshëm të bisedojë me të gjithë liderët politikë në funksion të interesit të vendit.
“Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike. Jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit”, tha ai.
Sipas Hamzës, prioritetet e tij lidhen me programin me të cilin ka garuar në zgjedhje, e jo me ndarjen e posteve qeveritare.
“Nuk kam garuar për me i pasë 4-5 ministra apo një pozicion të caktuar. Kam garuar për me pasë ambient më të mirë për biznesin, partneritet me aleatët tanë, me i rrit pagat, me i rrit pensionet dhe me realizu shumë prioritete të tjera”, përfundoi Hamza.








