Haxhiu: Me rritjen e pagave, Haradinaj ka shkelur disa ligje

Për vendimin e dhjetorit të vitit të kaluar, për rritjen e pagave, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kallëzim penal ndaj kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe 17 zyrtarëve të tjerë të lartë qeveritarë – zëvendëskryeministra e ministra, raporton KTV.

Deputetja, Albulena Haxhiu, e cila dorëzoi këtë kallëzim në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, tha se vendimi i Qeverisë është i jashtëligjshëm dhe i padrejtë. Sipas saj, me daljen e pagave me rritje është përmbushur vepra penale – konflikt interesi, andaj kallëzimi është bërë për zyrtarët e përfshirë në marrjen e vendimit.

Haxhiu beson se me rritjen e pagave për veten, Qeveria shkeli një varg ligjesh.

Deputetja e Vetëvendosjes ka shtuar se janë duke shqyrtuar mundësinë e ngritjes së kallëzimit penal edhe ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët e kanë votuar si të pabazuar ankesën e partisë së saj së për pagat, drejtuar këtij institucioni./koha.net