Historia e shkruar nga humbësit

Nexhmedin Spahiu

Elemente të luftës civile vazhduan të jenë të pranishme në Shqipëri deri më 1925 kur, përfundimisht, Ahmet Zogu (1895-1961) e stabilizoi Shqipërinë. Stabilizimi i Shqipërisë nga Zogu u bë me një vizion dhe platformë të qartë. Zogu u pajtua që kufijtë e Shqipërisë të jenë ata që i kishte përcaktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe që u konfirmuan nga Konferenca e Paqes në Paris më 1920.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Më 1992 në Tiranë po debatonim, në një shoqëri prej 7-8 vetash, nëse gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte ndodhur një Luftë Nacional Çlirimtare, një luftë civile apo të dyja së bashku. Kur në fund dominuan argumentet se nuk kishte ndodhur kurrfarë lufte çlirimtare, por një luftë e pistë civile, një historian me emër, i dorëzuar para argumenteve, iu drejtua Edison Ypit dhe tha: “Tekefundit, edhe nëse do të ketë qenë luftë civile, ne (e kishte fjalën për partizanët) e fituam atë luftë dhe ju (e kishte fjalën për nacionalistët) e humbët atë dhe dihet që fitimtari e shkruan historinë e jo humbësit”. Pasoi përgjigjja e Arben Popocit: “Ju e fituat më 1944, por e humbët më 1991. Ne tani nuk do t’u vrasim e nuk do t’u burgosim se për këtë sistem (demokracinë) kemi luftuar ne nacionalistët, por historinë do ta shkruajmë ne meqë ne jemi fitimtarët, sepse fitoi demokracia”.

Por, shkuan tri dekada dhe nxënësit e studentët në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut vazhdojnë ta mësojnë historinë e shkruar nga humbësit e luftës civile. Pyetja shtrohet përse ndodhi lufta civile në Shqipëri? Ku ishin shkaqet e luftës dhe përse nacionalistët e humbën këtë luftë përkohësisht, përkohësi kjo që zgjati katër dekada e gjysmë?

Shumica e kombeve të botës në rrugëtimin e tyre historik kanë kaluar nëpër fazën e zhvillimit të shoqëruar me luftë civile. Këtu nuk bën përjashtim as kombi më i fuqishëm i botës. Kombi amerikan përjetoi luftën civile 85 vjet pas lindjes së tij (u lind më 1776, ndërsa lufta civile i ndodhi më 1861-1865).

Kombi finlandez e përjetoi luftën civile mes “të bardhëve” dhe “të kuqve” një vit pas lindjes si komb më 1917 (lufta civile ndodhi më 1918).

Kombi shqiptar i përjetoi dy luftëra civile. E para ndodhi një vit pasi Fuqitë e Mëdha e njohën ekzistencën e kombit shqiptar më 1913. Kjo ishte lufta e vitit 1914 e Shqipërisë së mesme, në krye me Haxhi Qamilin, kundër forcave nacionaliste nën sloganin “Duam mbret mysliman”. Në historiografinë shqiptare, që u mësohet nxënësve nëpër shkolla, vlerësimi për të varion nga tribun popullor deri te “këta fanatikë myslimanë u nxitën nga Stambolli”. Dokumentet arkivore serbe dëshmojnë se Stambolli nuk kishte lidhje me këtë punë. Ishte shërbimi sekret serb me qendër në Ohër ai që e zbuloi një person inteligjent, trim, karizmatik e ambicioz, të quajtur Haxhi Qamili, për ta përkrahur me armë, para e ushqime që të hiqte nga froni princin Wilhelm Wied (1876-1945), të cilin Serbia e shihte pengesën më të madhe drejt realizimit të interesit të saj karshi Shqipërisë. Haxhi Qamili shumë shpejt u forcua mjaft dhe, me ndihmën e Serbisë, u lidh edhe me grekët, po kur i lindi ambicia të lidhet edhe me anglezët, ky edhe ishte fundi i tij, ngase Serbia u nxitua të fuste trupat e veta në Shqipëri me qëllim që ta vriste. Në fakt, trupat serbe e liruan Esad Pashë Toptanin të zënë peng nga Haxhi Qamili dhe ia dorëzuan atij Haxhi Qamilin dhe krerë të tjerë të kryengritjes për t’i ekzekutuar, kjo pasi Haxhi Qamili kishte kryer atë për çfarë Serbia e kishte ndihmuar (largimin e Princ Wied-it) dhe tashmë po bëhej i rrezikshëm edhe për Serbinë nëse do të arrinte te lidhej me anglezët.

Elemente të luftës civile vazhduan të jenë të pranishme në Shqipëri deri më 1925 kur, përfundimisht, Ahmet Zogu (1895-1961) e stabilizoi Shqipërinë. Stabilizimi i Shqipërisë nga Zogu u bë me një vizion dhe platformë të qartë. Zogu u pajtua që kufijtë e Shqipërisë të jenë ata që i kishte përcaktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe që u konfirmuan nga Konferenca e Paqes në Paris më 1920. Të gjithë ata që nuk u pajtuan me këtë fakt i shpalli armiq dhe i përndoqi. Kur Italia e pushtoi Shqipërinë, problemet në shoqërinë shqiptare nuk u hasën për arsyen e thjeshtë – kishte ndryshuar vetëm mbreti, por shoqëria shqiptare ishte po ajo. Gjërat ndryshuan kur pas 2 vitesh, më 1941, Shqipëria u rrit me territore te sotme të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Serbët menjëherë u angazhuan që ta formojnë Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe këtu u fut virusi i luftës civile që do të shpërthente 2 vite më vonë (më 1943-1944). Natyrisht, komunistët serbë dhe krijesa e tyre, PKSH, ishin vetëm katalizatorë të përçarjes së kombit shqiptar, por çarja objektive ekzistonte në vetë elitën politike shqiptare.

Përçarja e elitës politike shqiptare vinte nga çarja e vetë shoqërisë shqiptare. Shqiptarët e Shqipërisë së vjetër (Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913) dhe Shqipërisë së re (Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe Jugu i Malit të Zi) kishin botëkuptime, interesa e shqetësime të ndryshme. Përfaqësues tipik i nacionalizmit të Shqipërisë së Vjetër ishte Mehdi Frashëri (1884-1963), kurse ai i Shqipërisë së Re – Xhafer Deva (1904-1978). I pari i ishte kryetar i Regjencës (zëvendësues i mbretit në mungesë), ndërsa i dyti ministër i Brendshëm (në fakt motori i qeverisë).

Përplasja e këtyre dy përfaqësuesve tipikë të nacionalizmit shqiptar u dha krah komunistëve që të kishin sukses në luftën civile në Shqipëri që filloi pikërisht në këtë kohë. Dhe, kjo luftë zgjati tepër. Vazhdoi deri kur ra busti i Enver Hoxhës në sheshin qendror të Tiranës.

Në Kosovë nuk pati luftë civile. Kjo, sepse kishte një uniformitet mendimi e qëndrimi me pak përjashtime. Ata dhjetëra komunistë kosovarë ishin të pamjaftueshëm për të bërë ndikim në turmat popullore dhe, për më tepër, as ata nuk kishin pushtet, sepse pushtetin e kishin serbët. Pas rënies së Aleksandar Rankoviqit (1966), kur komunistët kosovarë morën pak pushtet, ata u detyruan të bashkëpunojnë me fëmijët e nipërit e nacionalistëve.

Ta zëmë, rektor i Universitetit të Prishtinës ishte Gazmend Zajmi (1936-1995), që ishte djalë i vëllait të Tahir Zajmit (1897-1971) – sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Autori i këtyre rreshtave ishte kryetar i Konferencës Universitare të Rinisë së Kosovës dhe gjithë ish Jugosllavisë, ndërkohë që gjyshi kishte luftuar kundër partizanëve bashkë me pesë vëllezërit e vet. Njëri prej tyre (Ilaz Spahiu, hoxha i Brojes – 1895- 1945) ishte vrarë nga partizanët pasi që më parë kishte qenë anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit (18-20.09.1943) dhe deputet i Drenicës në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë. Shembuj të këtillë mund të gjejmë plot e përplot.

Me gjithë këtë, fara e luftës civile u injektua edhe në Kosovë. Kjo ndodhi prej propagandës së Enver Hoxhës përmes Radio Tiranës dhe Televizionit Shqiptar, si dhe përmes teksteve të historisë e të letërsisë, që vinin nga Tirana. Dy ishin qasjet në Kosovë karshi kësaj propagande: 1. Refuzuese (Ibrahim Rugova – 1944-2006) dhe pranuese (Rexhep Qosja – 1935- ). Si pasojë e kësaj përçarjeje gjatë kohës së luftës së Kosovës (1999) dhe pas saj ishim në prag të një lufte civile, e cila u shmang falë ndërhyrjes amerikane.

Por, historia në tekstet shkollore vazhdon të jetë pothuajse e njëjtë me atë të kohës së shokut Enver. Filmat me partizanë akoma dominojnë mendësinë publike. Në provimin nga Historia e Diplomacisë, në mesin e pyetjeve për studentët që ta rrethojnë përgjigjen e saktë nëse Balli Kombëtar ishte një organizatë a). Pro-gjermane apo b). Pro-anglo-amerikane, përgjigjet e të gjithë studentëve që kishin munguar në ligjëratat e mia ishin se “Balli Kombëtar ishte organizatë pro-gjermane”. Kur i pyesja se ku e kanë lexuar këtë, thoshin: “Nëpër filma e libra të historisë”.

Nxënësit e studentët tanë nuk dinë fare për luftën më të lavdishme që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë në histori – luftën për mbrojtjen e Novi Pazarit. Nuk e dinë as se cili ishte roli i vëllezërve Dragaj në historinë e Kosovës e Shqipërisë. Në Shqipëri ka përmendore të kolonelit Thomson, por nuk ka përmendore të shqiptarit që u vra bashkë me të në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend – Ajdin Dragës (1864-1914), që ishte përfaqësues i Mitrovicës e Novi Pazarit në Kuvendin e Vlorës më 28.11.1912. Përmendore e as shkollë apo rrugë me emër të tij nuk ka as në Kosovë. Në tekstet shkollore nuk mësohet as për rolin shumë të rëndësishëm të Xhemijetit të udhëhequr nga Nexhip Draga (1869-1920) dhe Ferat Draga (1880-1944) e Aqif Blyta (1887-1945).

Kur para disa vitesh Presidenti Hashim Thaçi e kryeparlamentari Kadri Veseli po merrnin pjesë në një Akademi Përkujtimore për Shaban Polluzhën (1871-1945) e Mehmet Gradicën (1913-1945), një ambasador i një vendi të fuqishëm më thirri në telefon i shqetësuar se si Presidenti e Kryeparlamentari po marrin pjesë “në një komemorim të bashkëpunëtorëve të fashizmit e nazizmit!”. E pyeta se kush po thotë se Shaban Polluzha e Mehmet Gradica kanë qenë të tillë, ndërsa ai m’u përgjigj se kështu i kishte thënë stafi i vet lokal. Kur i shpjegova se kush kanë qenë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, më pyeti: “E përse atëherë nuk kanë përmendore në qendër të Prishtinës pasi me të vërtetë po i merituakan plotësisht?”.

Pra, radha është që historinë ta shkruajnë fitimtarët e jo humbësit. Por, lufta civile e tejzgjatur e ka trullosur edhe fituesin dhe 30 vjet nuk mjaftuan për këndellje. Por, një ditë historia do të shkruhet ashtu si duhet, sepse e vërteta vonon, por fiton. /shenja