Historiku i nyjes se Gordit dhe marreveshja e Ohrit

Dr. Rexhail Ramadani

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët” (Faik Konica)

Shkruan: Rexhail RAMADANI, Kumanovë

Maqedonia, si një realitet politiko-historik u krijua pas traktatit të Shën Stefanit që ishte marrëveshja e arritur pas luftërave ruso-turke më 1877-1878, ku Rusia doli fituese. Fuqitë e Mëdha, duke dashur që ta kufizojnë ndikimin rus në Ballkan, e shkëputën Maqedoninë nga Bullgaria, ndërsa për të mos dalë Serbia në detin Adriatik, Austro-Hungaria e mbështeti ndërtimin e identitetit kulturor modern shqiptar dhe krijimin e shtetit shqiptar. Prandaj intelektuali ynë i madh Faik Konica e pat thënë jorastësisht se: “Shqipërinë e krijoi rastësia”. Për këtë arsye rilindja jonë kulturore kombëtare kontribuoi të ndërtohet identiteti ynë kulturor modern, duke i vendosur themelet e veta në gjuhën shqipe, ndërsa përmes Lidhjes së Prizrenit u përpoqën që t’i artikulojnë aspiratat politike të krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, kuptohet me kontributin vendimtar të Austro-Hungarisë, që përpiqej përmes këtij projekti gjeopolitik ta pengojë daljen e influencës ruse në detin Adriatik.

Në këto rrethana të krijuara në Ballkan, pas dobësimit dhe rënies së Perandorisë Osmane në luftërat ruso-turke, Serbia doli si një faktor politik që deshi të zgjerojë ndikimin dhe territorin e saj në jug në përputhje me planin sekret që e kishte hartuar Ilija Garashini, që njihej si “Naçertanie”. Ideologët dhe intelektualët më të spikatur serbë, për ta arsyetuar zgjerimin territorial të Serbisë në jug ishin gjeografi i njohur serb Jovan Cvijiq, kirurgu i njohur, Dr. Vlladan Gjorgjeviq, Vasa Cubrilloviqi dhe shkrimtari Ivo Andriq, të cilët e hartuan ideologjinë e politikës së jashtme të ekspansionit serb. Këtë zgjerim të territorit në jug intelektualët serbë e kishin bërë objektiv strategjik të politikës së jashtme. Gjeografi i njohur Jovan Cvijiq u përpoq që shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri të veriut të paraqiteshin si serbë të shqiptarizuar dhe se ky popull ishin të paqytetëruar, të cilët nuk ishin të aftë të ndërtojnë shtet. Ndërkaq për popullin që jetonte në Maqedoni gjeografi Cvijiq konsideronte se ishin serbë të jugut. Kirurgu i parë i shkolluar serb në Universitetin e Vjenës, Dr. Vladan Gjorgjeviq, hartoi një ide raciste për shqiptarët, duke krijuar stereotipa pezhorative për shqiptarët, duke i përshkruar si njerëz të imët, të paqytetëruar, që jetojnë nëpër drurë dhe që kishin origjinë nga romët dhe fenikasit. Madje, Dr. Vlladan Gjorgjeviqi e botoi një vepër “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” duke u përpjekur të krijojë stereotipa antropologjike për të argumentuar teorinë biologjike të racave për shqiptarët si popull inferior, të paqytetëruar dhe të paaftë për të krijuar shtet. Ai e kultivoi idenë raciste të superioritetit biologjik të racës dhe inferioritetit civilizues dhe biologjik që, sipas tij, e kishin shqiptarët.

Në konfliktin serbo-bullgar, të cilët ishin rivalë në territorin e sotshëm gjeografik të Maqedonisë, më 1885 Serbia mori një goditje nga ushtria bullgare, me çka ua ndalën hovi i ideologjisë ekspansioniste serbe. Si ithtarë tjerë të këtyre ideve ishin edhe Vasa Çubrilloviqi dhe shkrimtari i njohur Ivo Andriq. Çubrilloviqi ishte për të përdorur metodat më brutale të presionit, të pastrimit të territorit nga një popull “i egër që kishte bisht”, siç propagandonin ata dhe nxitjen e shpërnguljes se tyre. Ai e promovonte idenë e spastrimit etnik nga “ky popull i egër dhe i pacivilizuar”. Shkrimtari i njohur Ivo Andriq nuk ishte vetëm një shkrimtar i njohur, por ai u shqua edhe në diplomaci. Ai kishte për përçarjen e shtetit shqiptar dhe për këtë synim bashkëpunonte me italianët dhe grekët. Ata thoshin: “Më mirë Italia të ketë një dritare në Ballkan sesa shqiptarët të kenë një shtëpi”. Ivo Andriqi ishte shumë kritik që Londra më 1913 e njohu shtetin shqiptar. Ideologjia ekspansioniste serbe e motivoi edhe gjenocidin që u bë ndaj popullatës dhe shpërnguljen e popullatës nga Vilajeti i Toplicës. Ideja e Ivo Andriqit ishte që të përçahet Shqipëria dhe ajo të zhbëhet. Ky projekt, sipas tij, do të mundësonte shumë më lehtë t’i asimilonte shqiptarët që kishin ngelur në Jugosllavi. Ndërkaq për realizimin e kësaj ideje ai e bazonte strategjinë e bazuar në diplomacinë e shkathtë për të krijuar aleancë me Italinë dhe Greqinë, që në mënyre të sinkronizuar ta zhbënin shtetin shqiptar dhe ta sfidonin Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që e pranoi Shqipërinë në kufijtë e sotshëm. Për këtë qëllim ata i përdornin argumentet mitologjike të së drejtës së tyre historike dhe përhapjes e albanofobisë për ta përfituar përkrahjen e fuqive të mëdha për të realizuar projektin e tyre sekret të ekspansionit të territorit të tyre.

Kundër këtyre ideve raciste të ekspansionizmit serb i vetmi zë kritik ishte intelektuali i njohur serb dhe socialisti i respektuar, Dimitrije Tucoviq. Ai, si një vizionar dhe personalitet i kulturuar dhe përparimtar, i denoncon këto ide si të dëmshme dhe raciste, të cilat “do të sjellin konflikte dhe tragjedi të shumta në Ballkan”. Profecia e tij doli të ishte e saktë. Ekspansionizmin serb në Maqedoni, pas Jovan Cvijiqit, të cilën ai e quante “Serbia Jugore” dhe përpiqej ta denacionalizonte popullatën e këtij territori, intelektuali dhe politikani serb Stojan Novakoviq u përpoq që përmes lansimit të idesë së maqedonizmit të krijohet një identitet i ri kulturor e gjuhësor në mes atij bullgar dhe serb, në mënyrë që të pengohen pretendimet e Bullgarisë për Maqedoninë. Perandoria e Car Dushanit ishte shumë jetëshkurtër që të ndryshonte identitetin kulturor të këtij populli, në rastin konkret ta serbizonte këtë popullatë. Kështu, në punimet e intelektualit Krste Petkov Misirkov, që studionte në Beograd, haset ideja e maqedonizmit, edhe pse në atë kohë ishte dilemë se me “maqedonas” a kuptohej konteksti gjeografik apo ai identitar maqedonas.

Identiteti nacional maqedonas filloi të kultivohet aty kah vitet ‘20-ta dhe ‘30-ta të shekullit kaluar dhe fillesat i hasim tek vepra e njohur e Krste Petkov Misirkovit “Për punët e Maqedonisë”. Pas rënies së Perandorisë Osmane, ne rivalitetin mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, për ambiciet e saj gjeopolitike, Britania e madhe e krijoi Jugosllavinë për ta penguar bashkëpunimin e Turqisë dhe Gjermanisë, që synonin ta ndërtonin rrugën hekurudhore Bagdad-Berlin e cila i solli epërsi të mëdha makinerisë ekonomike gjermane, që kishte qasje në naftën e Lindjes se Mesme. Perandoria Britanike u përpoq që ta dobësojë Gjermaninë, e cila me reformat e Oto Von Bizmarkut u bë rivali serioz i ambicieve të Perandorisë Britanike. Kjo ishte arsyeja pse Obrenoviqët, që ishin me Austro-Hungarinë, u zëvendësuan me Karagjorgjeviqët, që ishin lojalë ndaj Britanisë së Madhe.

Edhe në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene Serbia e pa prapë rastin e mirë të vazhdonte ta ndiqte “obsesionin e saj të ekspansionit”, siç shprehet edhe një historiane disidente moderne serbe, profesoresha Latinka Peroviq. Serbia donte ta zgjeronte hegjemonine e saj, prandaj u shfaqën edhe lëvizjet rezistuese ndaj kësaj tendence hegjemoniste të Serbisë, si p.sh. në Kroaci u paraqit Partia Fshatare me liderin e saj Stjepan Radiq, që u vra në parlament nga serbët. Tek shqiptaret u shfaqen lëvizjet kaçake, ku u dallua Azem Bejta e Shotë Galica, që bënin rezistence dhe ishin forcë kërcënuese për xhandarmërinë serbe, ndërsa ne Maqedoni ishte Organizata e Fshehtë Revolucionare Maqedonase (VMRO) që u themelua nga Dame Gruevi, Hristo Tatarçev e Jordan Pop Arsov, që kishin një orientim probullgar dhe antishqiptar. Madje, ishin anëtarët e OBRM-së ata që i bënë atentat mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq, përmes antarit të tyre Vlado Cernozemski, në atë që njihet si “Atentati i Marsejës’ me 9 tetor 1934.

OBRM u krijua me idenë për autonomi brenda Perandorisë Osmane me figurën e spikatur të Goce Dellçevit, gjë që rezultoi në krijimin e republikës jetëshkurt të Krushevës. Ndërkaq, kur u krijua shteti jugosllav, kjo organizatë revolucionare i vazhdoi betejat e veta politike për ta ruajtur karakterin probullgar dhe luftoi influencën serbe në Maqedoni përmes liderëve të mëdhenj të popullit maqedonas, si Todor Aleksandrov, Aleksandar Protugerov, Vanço Mihajllov. Ideja e tyre ishte që Maqedoni të ishte një shtet bufer si Zvicra, pra ajo të ishte Zvicra e Ballkanit. Kjo traditë patriotike maqedonase vazhdoi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore me eliminimin e Metodija Andonov – Çentos, i cili u internua dhe u eliminua si lider politik i popullit maqedonas.

Në Maqedoni tashmë ndodhi kthesa e madhe – elitat politike dhe intelektuale e braktisën Sofjen dhe sytë i kthyen kah Beogradi, i cili u bë prapë kryeqyteti i Jugosllavisë së Titos. Një marrëveshje mes Titos dhe Gjeorgji Dimitrovit, i cili e kishte gruan serbe, u krijua Maqedonia si një republikë brenda ish Jugosllavisë, kjo sipas idesë së bolshevikëve, konkretisht të Stalinit, ku shteti e krijon kombin.

Shef i shërbimit inteligjent të Jugosllavise ishte Aleksandër Rankoviqi që po ndiqte idetë e hegjemonisë serbe. Svetozar Vukmanoviq-Tempo dhe stipendisti serb Llazar Kolishevski, që me parë quhej Llazar Kolishev, u përpoqën që ta fusin nën kontroll shtetin maqedonas duke e kontrolluar shërbimin famëkeq të UDB-së së Maqedonisë e duke i infiltruar agjentët e tyre në Akademi, në elitën politike, intelektuale dhe kulturore maqedonase. Edhe në periudhën e Luftës së Dytë Botërore shihen këto dy tendenca: nga njëra anë Metodija Shatorovi përpiqej që ta bashkojë Partinë Komuniste bullgare dhe atë maqedonase, ndërsa nga ana tjetër për ta penguar këtë iniciative në Maqedoni nga Mali i Zi erdhi Svetozar Vukmanoviq –Tempo, që Partinë Komuniste të Maqedonisë t’ia bashkangjesë PKJ-së. Këtu fitoi krahu filo-serb i PKM-së, ndërsa Metodija Shatorovi u eliminua si figurë politike.

Kjo klikë komunistësh filoserbë si objektiv armiqësor e kishin elitën patriotike filo-bullgare të Maqedonisë dhe përfaqësuesit eminentë të Ballit Kombëtar, që gjatë Luftës së Dytë Botërore vepronin në të gjitha trojet shqiptare, pra edhe në Maqedoni, për realizimin e Shqipërisë etnike. Prandaj elitat patriotike të popullit maqedonas dhe shqiptar morën goditje të rëndë prej sigurimit shtetëror te UDB-së në ish Jugosllavisë. Prandaj elita intelektuale dhe politike që po krijohej në Maqedoninë komuniste do të përbëhej nga njerëz të rekrutuar nga UDB-ja, që i infiltronte ata në të gjitha institucionet e shtetit, në elitën politike, Akademinë e Arteve dhe Shkencave, universitete e gjithandej nëpër institucione dhe pozita të rëndësishme. Kjo elitë e re e krijuar filo-serbe, në karakterin e saj me mendësi jugosllave dhe komuniste, punonte për të krijuar veçoritë kulturore dhe identitare të popullit maqedonas. Më i spikaturi ishte stipendisti serb Bllagoja Lajmoviq, që më vonë e ndërroi emrin në Bllazhe Koneski. Ai e lëvroi kulturën identitare të popullit maqedonas, si dhe sllavisti Horace Landti, që i përpunoi veçoritë e gjuhës maqedonase. Pra, identiteti kulturor dhe gjuhësor u përforcua duke e bërë popullin maqedonas bartës të shtetformimit.

Republika Socialiste e Maqedonisë po krijohej si një republikë e popullit maqedonas dhe pakicave tjera, që në komunizëm u quajtën “kombësi”. Kështu mentaliteti i elitës politikë dhe intelektuale Maqedonase e reflektonte linjën Shkup-Beograd. Kjo lidhje do të përcaktonte më vonë edhe mendësine e elitave politike dhe intelektuale maqedonase. Në të vërtetë, ky mentalitet i krijuar do të luajë një rol krucial në raportet maqedono-shqiptare, të cilët janë dy popuj dominues që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Edhe nga radhët e shqiptarëve zgjidheshin në pushtet njerëz të dëshmuar për besnikëri ndaj komunizmit dhe lojalë ndaj sistemit, ndërsa shumicën e tyre i rekrutonte UDB-ja, e cila e kishte pushtetin real në Republikën e Maqedonisë. Maqedonasit, kulturalisht, pësuan një transformim rrënjësor kulturor, duke i parë si armiq bullgarët, grekët dhe shqiptarët, ndërsa për miq i morën serbët. Kështu u jugosllavizua edhe Maqedonia dhe u indoktrinua popullata e saj. Nuk është rastësi që në Enciklopedinë Maqedonase gjejmë elemente të tilla të ideologjisë serbe të ideve mbi inferioritetin biologjik të shqiptarëve. Pra, idetë e Dr. Vlladan Gjorgjeviqit prapë vijnë në shprehje, se “shqiptarët kanë prejardhje prej romëve, janë ardhacakë, me kulturë inferiore dhe të paqytetëruar”, që i hasim në tekstet e diskutueshme shkollore dhe në Enciklopedinë Maqedonase.

Në periudhën e pluralizmit politik u bart mendësia komuniste dhe kjo mendësi u reflektua në raportet maqedono-shqiptare. Prej këtij raporti varej edhe stabiliteti i shtetit. Në periudhën e pluralizmit politik u bart mendësia komuniste, ndërsa raportet maqedono-shqiptare ishin të acaruara, sepse elitat maqedonase donin të krijonin një Maqedoni ku ekskluziviteti shteformues do t’u takonte maqedonasve, ndërsa shqiptarët nga kombësia do të çimentoheshin si një pakicë etnike. Ndërkaq shqiptarët si aspiratë të tyre kombëtare e synonin statusin e barazisë juridiko-kushtetuese, kjo në kohën kur Jugosllavisë po i lëkundeshin themelet. Ata përpiqeshin t’i institucionalizonin vlerat e tyre kulturore të identitetit, si gjuha e flamuri, dhe të krijonin institucione arsimore në të gjitha nivelet në gjuhën shqipe. Këto synime pengoheshin nga elitat politike maqedonase, andaj ndodhën ngjarjet e Gostivarit, Bit Pazarit e Lladorishtës në Struge. Elitat politike dhe intelektuale Maqedonase kanë synuar që të ruhet ekskluziviteti etnik dhe shteti të jetë me elementin dominues shtetformues të maqedonasve dhe në të të integrohen edhe popujt tjerë, si shqiptarët, vllehët, romët, turqit… Por, shteti, megjithatë, të definohet si shtet nacional i popullit maqedonas dhe i pakicave tjera që jetojnë në të. Kjo vërehet edhe në kushtetutën e parë të Republikës së Maqedonisë, që u miratua më 1991 ku shteti do të definohet si shtet nacional i popullit maqedonas dhe gjuha zyrtare do ë jetë gjuha maqedonase. Ndërsa në atë periudhe u be dhe privatizimi i kapitalit shtetëror – kapitali nacional i shtetit u nda në mënyrë shumë të pabarabartë, ashtu që sipërmarrësit maqedonas do t’i kontrollojnë të gjitha bizneset më të mëdha dhe kompanitë me të mëdha të shtetit në qendrat urbane, ndërsa punëtorët i morën aksionet e tyre.

Marrëveshja e Ohrit

Ne epilogun e konfliktit 2001 kemi me kontributin e BE-së dhe SHBA-së, që deshën t’i instalojnë vlerat europiane në Republikën e Maqedonisë. Me Marrëveshjen e Ohrit pala maqedonase ka synuar të ruhet integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit, që nënkupton të ruhet sistemi politik që i mundëson shumicës dominim dhe bartjen e elementit shtetformues që ta ruajë ekskluzivitetin etnik shtetformues. Negociatat u bënë që shqiptarët të integrohen në sistem, por në bazë të përqindjes së tyre dhe në bazë të asaj përqindje t’u njihen të drejtat e shprehjes së identitetit kulturor, si përdorimi zyrtar i gjuhës dhe flamurit, por këto nuke identifikojnë shtetin, por vetëm të drejtën e përdorimit të tyre. Është synuar që gjuha shqipe të mos e ketë nivelin e gjuhës maqedonase, por të jetë si gjuhë e përdorur aty ku shqiptaret janë mbi 21 % . Faktor tjetër i MO-së ishte integrimi i shqiptarëve në mënyrë proporcionale në institucionet e shtetit. Njohja e të drejtave kulturore si e drejta për ta institucionalizuar identitetin kulturor ku janë mbi 21%, përfshirja proporcionale në institucione e postet ministrore dhe postet drejtuese që merrnin shqiptarët, këto i përjetuan klasa politike që e krijoi BDI-ja si një revolucion i madh politik i shqiptarëve. Ndërkaq pikat e tjera, si decentralizimi i pushtetit pa decentralizim fiskal dhe menaxhimi ose amortizimi turbulencave ndëretnike, duke krijuar komitete ndëretnike e komisione parlamentare, ishin disa nga pikat e MO-së. Pushteti ekonomik dhe politik është akoma më shumë i centralizuar në Maqedoni. Majorizimi në vendimmarrjet politike ishte një problem që e regjistronte edhe PPD-ja, që ishte partia e pare shqiptare në Maqedoni. Por, vlen të theksohet se edhe në Marrëveshjen e Ohrit debati u shtrua në kornizën e zgjerimit të të drejtave të pakicave. Kështu si prag u mor 21%-shi, që një komunitet të mund t’i institucionalizoje të drejtat e tij kulturore, politike dhe me përqindje integrohet në institucionet shtetërore. Ndërkaq, modeli i ushtrimit të pushtetit ngeli prapë demokracia konsociale, ku partnerët e koalicionit merren vesh për politikat qeveritare. Ky model i jep pushtet të madh vullnetit të elitave politike dhe atyre u krijon monopol e u jep fuqi në vendimmarjet politike. E keqja e këtij modeli qeverisës është se në vendimmarjet politike shumë hapësirë ka arbitrariteti.

Megjithatë, përfaqësuesit politikë shqiptarë e kanë në dorë të drejtën e Badenterit për ta shmangur majorizimin. Ata e kanë në dorë legjitimimin e qeverive në Republikën e Maqedonisë. Por, për ato më i rëndësishëm është bërë pushteti se çdo gjë tjetër. Në institucionalizimin e të drejtave që kanë të bëjnë me identitetin kulturor pati zvarritje të shumta, madje edhe sot e kësaj dite ato të drejta nuk janë institucionalizuar plotësisht, sidomos institucionalizimi i gjuhës shqipe, që është një e drejtë e cunguar, e drejta e flamurit etj. Ajo që u arrit në Marrëveshje të Ohrit ishte zgjerimi i të drejtave të pakicave dhe pragu për t’i gëzuar këto të drejta ishte i definuar 21 %. Theks të veçantë në këtë ka integrimi sasior, pra që komunitetet joshumicë të përfshihen numerikisht në institucione.

Marrëveshja e Ohrit u arrit falë angazhimit të Bashkimit Evropian dhe ndërmjetësimit te SHBA-së nëpërmjet ndërmjetësuesve specialë, Fransoa Leotar, dhe amerikanit, Xhejms Perdju. Imponimi i vlerave Evropiane solli në Evropën Juglindore një frymë tjetër nga ajo që mbollën historikisht urrejtje, konflikte të përhershme, internime, vrasje e deri në spastrime etnike. Ndikimi Bashkimit Evropian dhe SHBA-së po përpiqet të sjelle një frymë tjetër ne suaza të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të drejtave kolektive, gjë që në këto treva as nuk njiheshin si koncepte teorike. Nuk ishte Ali Ahmeti që e solli Marrëveshjen e Ohrit, por ishte kontributi dhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, ndërsa krerët e BDI-së vetëm se u përpoqën që ta legjitimonin pushtetin e tyre, duke përvetësuar kontributin e dëshmorëve të kombit dhe ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

Ali Ahmeti ishte një zëdhënës i UÇK-së me seli në Prizren, i mbështetur nga krerët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe qarqet marksiste-leniniste te Kosovës. Ai u bë lider i BDI-së, që u themelua. Ali Ahmeti ishte njëri prej agjentëve të SHIK-ut, që u infiltrua si zëdhënës e më pas si lider nga këto qarqe, për ta zgjeruar ndikimin e tyre. Kreu i BDI-së dhe aparatura propagandistike e kësaj partie u përpoq që ta ngrejë një mit mbi Ali Ahemtin, madje u investua shumë që ky mit të përforcohej tek popullata. Si një parti me mentalitet të ekstremit të majtë enveristo-komunist, ata u përpoqën që BDI-ja të legjitimohet si parti në emër të dëshmorëve, vlerave të luftës, thuajse se dëshmorët e kombit ishin bijtë dhe bijat e funksionarëve të BDI-së. Dëshmorët ishin bija dhe bijë që kishin lënë nënat e tyre, që kishin lënë fëmijë jetimë, gra të veja dhe që kishin një ideal për lirinë e popullit, për çka edhe u flijuan. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët më funksionarët dhe kreun e korruptuar të BDI-së. Kreu dhe funksionaret e BDI-së janë afër nënave të tyre, bijve dhe bijave të tyre, por e shijojnë jetën, luksin e privilegjet e pushtetit, ndërsa dëshmorët i lanë të gjitha nënat, bijtë dhe bijat dhe gratë e tyre. Prandaj edhe ka një dallim të madh mes tyre. Nuk mund të krahasohet sublimja, ideali më i lartë i vetëflijimit për një kauzë madhore me njerëz të korruptuar që kanë për synim të përfitojnë për vete. Prandaj edhe përpiqen që në fushata elektorale t’i vizitojnë varrezat, dëshmorët e të jene të pranishëm në festa kombëtare, në mënyrë që ta legjitimojnë pushtetin e tyre në emër të dëshmoreve, duke u paraqitur si trashëgimtar të tyre. Por, kur marrin pushtetin, kur ulen në kolltukët e butë të pushtetit, fillojnë të mendojnë për vete. Kjo është hipokrizia dhe demagogjia e klasës politike të BDI së. Kjo klase politike nuk i duron dot rivalët politikë. Madje, ndaj tyre ishte e pamëshirshme. Aq ishte i centralizuar pushteti i tyre, saqë për një punësim lista e punësimit kalonte nga sherifët lokalë të BDI-së deri t edrejttuesit më të lartë të partisë. Kështu e krijuan një standard të ri – vetëm ata që ishin në BDI mund të kishin perspektivë. Kështu, duke i eliminuar nga konkurset të rinjtë me dhjetëra herë, këto padrejtësi e diskriminime selektive i demoralizuan të rinjtë, prodhuan frustracione dhe kështu krijuan një klimë të migrimit masiv të të rinjve kur u hap një mundësi e punësimit në Gjermani dhe gjetiu në botën perëndimore. Në qeverisjen e tyre kemi parë burgosje të njerëzve pa faj, si rasti i Sopotit, rasti i Monstrës, por edhe vrasje misterioze dhe atentate politike, si dhe diskriminim ekonomik, si “Shkupi 2014”, sulme të njëanshme policore, një konflikt të kontrolluar, siç ishte rasti në Kumanovë, të cilin klasa udhehëqëse e BDI-së vetëm e ka miratuar në heshtje. Ka mjaftuar që lideri i tyre Ali Ahmeti të dalë dhe të arsyetohet dhe të relativizojë problemin sipas logjikës “Pse e bëni të madhe, asgjë s’ka ndodhë.”.

Për dy dekada pushtet të BDI-së mund të shkruhet dhe të thuhet shumë. Por, ajo e përgjithshmja është se klasa politike e BDI-së karakterizohet nga degjenerimi moral, korruptimi i tejskajshëm dhe patriotizmi fallso. Brenda saj kishte karrieristë, kriminelë, mafiozë e grupe të interesit, që donin të strehoheshin brenda vlerave të luftës. Njerëz të tyre kanë sulmuar edhe kryeredaktorë të gazetave shqiptare, duke i kërcënuar në zyrat e tyre me Kallashnikovë. Pra, këto ishin të dhunshëm, por dhunën e bënin në mënyrë tinëzare. Veprimtaria e tyre politike ishte tipike komuniste, e korruptuar e dhunshme, shtrënguese dhe e pamëshirshme për kundërshtarët. Ata nuk i kuptonin as vlerat demokratike, as vlerat evropiane, andaj kontribuan shumë në stagnimin e përgjithshëm të kësaj shoqërie, duke mos e lënë të zhvillohet, të kultivohen vlera të reja, ide të reja, gjeneratë e re politike. Vallë këto janë vlera evropiane? A përmes dhunës duan të promovojnë agjendën e gjelbër?!

Këto janë vetëm slogane, përmes të cilave BDI-jado të vijë në pushtet dhe asgjë më shumë. Këto sjellje primitive i bënë standard dhe këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Prandaj u duhej Ali Ahmeti këtyre grupeve të fuqishme të interesit, njerëzve që duan pozita, karrieristëve, konformisteve e pseudointelektualëve, që përmes vlerave të luftës dhe idealit të dëshmorëve të legjitimohet pushteti e më pas të vazhdohet me privilegjet e pushtetit. Në opinion i prezantonin ca persona që janë të afërt me pushtetin dhe vjelin përfitime nga pushteti, si profesorë universitarë, mjekë, analistë e gazetarë që i arsyetonin politikat e BDI së.

Për fat të keq, pas dy dekadave të pushtetit të tyre nuk u arrit të konsolidohet një opozitë që krijon një unitet, një vizion, që nxjerr një lidership të besuar, që di ta mobilizojë popullin ndaj pakënaqësive të akumuluara. “Një ujë që nuk lëviz bëhet moçal”, thotë një proverb popullor, ndërsa në po notojmë në këtë moçal. U investua shumë nga BDI që të përçahet, që të dobësohet, vetëm me qëllim që grupet e interesit të lidhur ngushtë me pushtetin të vijnë deri tek pushteti. Prandaj shqiptarët në Maqedoni kanë dëshmuar se nuk janë të aftë për organizim të mirëfilltë politik, për të krijuar elita serioze intelektuale, politike dhe akademike. Ata nuk ia dolën të imponojnë kualitet, debat demokratik dhe të krijojnë vizion për fatin e tyre të përgjithshëm. Madje ata kanë dështuar që të kontribuojnë për konkurrim të vlerave, për hapjen e perspektivës për të rinjtë e të trajtimit të tyre të barabartë, pavarësisht pikëpamjeve të tyre personale në tregun e punës dhe avancimit të tyre. Po të nisesh sot nga rrethi i Tetovës, Shkupit, Sarajit, Çairit, Haraçinës, Likovës, Kumanovës dhe del në Gjilan e deri në Prishtine e Skenderaj, e sheh një dallim të madh – në Kosovë është investuar shumë pas lufte, ndërsa në Maqedoni në këto zona gati se nuk jetohet, ngase mungon infrastruktura elementare e jetesës dhe perspektiva. Prandaj shqiptarëve në Maqedoni u duhen elita cilësore politike, intelektuale, akademike, mediatike që të mund të ecë përpara. Profecia e Faik Konices është edhe sot aktuale “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia dhe po vdes nga politikanët”. /shenja