Hong Kong, 36 të vdekur dhe 279 të zhdukur nga zjarri që përfshiu një kompleks banimi

Të paktën 36 persona, përfshirë një zjarrfikës, kanë humbur jetën, ndërsa 279 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pas një zjarri të madh në një kompleks banimi, transmeton Anadolu.

Kreu Ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee Ka-chiu, tha në një konferencë për shtyp se numri i viktimave ka arritur në 36.

Ndërkaq, 279 persona janë të zhdukur, ndërsa 29 janë shtruar në spital. Ndër ta, shtatë janë në gjendje kritike, tha Lee, sipas “South China Morning Post”.

Lee vuri në dukje se nga shtatë ndërtesat e prekura nga zjarri në “Wang Fuk Court”, tre dukeshin të errëta nga jashtë, ndërsa katër të tjera shfaqnin “shenja të ndryshme të flakëve”.

Duke e përshkruar ngjarjen si një “katastrofë,” kreu i qytetit, John Lee, njoftoi se zjarri ishte “gradualisht nën kontroll” rreth orës 1:20 të mëngjesit të së enjtes me kohën lokale.

Mbi 140 makina zjarrfikëse dhe më shumë se 800 zjarrfikës dhe paramedikë janë angazhuar për të luftuar zjarrin, duke përdorur gjithashtu dronë.

Presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllime për zjarrin dhe kërkoi përpjekje maksimale për ta shuar atë dhe për të minimizuar viktimat dhe dëmet, tha agjencia shtetërore “Xinhua News”.

Bordi i Arsimit njoftoi se mësimi do të anulohet në gjashtë shkolla të zonës të enjten për shkak të zjarrit dhe bllokimeve të trafikut të shkaktuara nga mbyllja e rrugëve.

Flakët u përhapën shpejt në të gjithë skelat e bambusit në kompleks dhe përfshinë të gjitha tetë blloqet e tij në lagjen Tai Po pasi nisi zjarri.

Tetë blloqet e kompleksit, të quajtur “Wang Fuk Court”, përfshijnë mbi 1.900 apartamente.

Policia u njoftua rreth orës 14:00 me kohën lokale.

Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar.