Hoxha: Është rritur numri i aksidenteve, mbi 22 mijë vetëm këtë vit

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se numri i aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar është rritur 7.58 për qind.

Ai tha se vetëm në këtë vit kemi mbi 22 mijë aksidente trafiku me 103 të vdekur, shkruan teve1.info

“Është bërë krahasimi i aksidenteve në këtë vite me vitin e kaluar. Kanë qenë aksidente fatale 95, ndërsa 93 ishin 94 me atë që ndodhi mbrëmë. Ndërsa persona të vdekur vitin e kaluar ishin 106 këtë vite deri më tani 103. Ndërsa aksident me lëndime 7 mijë e 748 vitin e kaluar, ndërsa tani 8 mijë e 332. Ndërsa në total aksidente vitin e kaluar 20 mijë e 794, ndërsa këtë vit 22 mijë e 370. Pra, ka një rritje prej 7.58 për aksidente”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka përmendur edhe shkaktarët e aksidenteve sipas analizave të bëra na policia e trafikut.

“Shkaktare sipas analizave nga policia e trafikut janë këto: mosmbajtja e distancës së sigurisëm mes mjeteve, manipulimi i pasigurt më automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçja e pasigurt në rrugë, radhitje të parregullta, si dhe kthim rrotullimi kthim mbrapa”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se Policia e Kosovës ka planifikuar masa shtesë për sigurinë në trafik, përfshirë shtimin e njësiteve, inspektimeve lokale, teksa bën apel te të gjithë që të ketë më shumë kujdes.

“Nga Plani Operativ për parandalimin e garave me automjete, nga 1 prilli e deri më sot janë shqiptuar 193 gjoba, janë konfiskuar 10 automjete dhe janë parandaluar 50 gara në të gjithë territorin e vendit”.