Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se vendi i tij synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) deri në fund të vitit 2027, transmeton Anadolu.
Siç njofton Hoxha në rrjetin social amerikan X, gjatë panelit “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor: Zgjidhja e çështjeve të mbetura së bashku” në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ai theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së mbetet “nxitësi më i fortë” i transformimit demokratik, forcimit të besimit dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
“Ambicia e Shqipërisë është e qartë dhe udhërrëfyesi ynë është realist, të përmbyllim negociatat duke mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027. Përmbushja e reformave dhe ruajtja e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit duhet të ecin paralelisht”, tha Hoxha.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke e cilësuar atë si prioritet strategjik për forcimin e qëndrueshmërisë, prosperitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes vendeve të rajonit, duke shtuar se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu konstruktiv janë thelbësore për stabilitetin e qëndrueshëm dhe integrimin evropian.
Në këtë kontekst, Hoxha theksoi se mbështetja për Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike përbën jo vetëm akt solidariteti, por edhe një investim në të ardhmen e përbashkët evropiane.
“Një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë kontribuon për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt”, tha ai.
Duke folur për dimensionin e sigurisë, Hoxha theksoi se marrëdhëniet transatlantike mbeten shtyllë kryesore e sigurisë evropiane, duke shtuar se për Shqipërinë, procesi i anëtarësimit në BE dhe partneriteti transatlantik “përforcojnë njëri-tjetrin si dy shtylla të së njëjtës arkitekturë paqeje dhe sigurie”.




