Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Hulumtim: Më shumë se 75 mijë të vrarë në 16 muajt e...

Hulumtim: Më shumë se 75 mijë të vrarë në 16 muajt e parë të luftës në Gaza

Sulmet e Izraelit në Gaza gjatë 16 muajve të parë pas tetorit 2023 kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 75 mijë palestinezëve, plot 25 mijë më shumë sesa ishte raportuar në atë kohë, ka treguar një hulumtim i ri, transmeton Anadolu.

Studimi i publikuar sot në revistën mjekësore “The Lancet” konfirmoi se raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza për përqindjen e grave, fëmijëve dhe të moshuarve mes viktimave ishin të sakta.

Sipas studimit, nga 7 tetori 2023 deri më 5 janar 2025 janë vrarë 42.200 gra, fëmijë dhe të moshuar, që përbënin 56 për qind të vdekjeve të dhunshme në Gaza.

Hulumtimi po ashtu tregon se sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës gjatë kësaj periudhe kanë shkaktuar më shumë se 75 mijë viktima, rreth 25 mijë më shumë sesa ishte raportuar fillimisht.

Autorët e studimit, përfshirë një ekonomist, një demograf, një epidemiolog dhe specialistë të sondazheve kanë theksuar se deri më 5 janar 2025, rreth 3-4 për qind e popullsisë së Gazës ishte vrarë dhunshëm, ndërsa një numër i konsiderueshëm vdekjesh jo të dhunshme kanë ndodhur në mënyrë indirekte si pasojë e konfliktit.

Në janar 2025, një studim i pavarur nga studiues të Shkollës së Londrës për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale vlerësoi se 64.260 persona kishin humbur jetën nga plagët traumatike në sulmet izraelite në Gaza nga 7 tetori 2023 deri më 30 qershor 2024, dukshëm më shumë sesa 37.877 të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Sipas të dhënave zyrtare më të fundit, Izraeli ka vrarë mbi 71 mijë persona në Gaza gjatë dy viteve që nga tetori 2023, duke e rrafshuar pothuajse tërësisht enklavën.