Hungaria bllokon deklaratën e BE-së që kritikon Kinën

Dy diplomatë evropianë bënë të ditur se Hungaria ka bllokuar një deklaratë të Bashkimit Evropian ku kritikohej ligji e ri kinez mbi sigurinë që zbatohet në Hong Kong. Kjo lëvizje mund të minojë përpjekjet për t’u përballur me qasjen shtypëse të Pekinit ndaj lirive të ish-kolonisë britanike.

 

Bashkimi Evropian, që synon t’i dalë në krah Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e të drejtave të njeriut në Hong Kong, duhej ta bënte deklaratën të hënën në një takim të ministrave të jashtëm bllokur, por nuk arriti të siguronte një dakortësi të nevojshme nga të 27 shtetet anëtare të saj.

“Argumenti i Hungarisë ishte se BE-ja tashmë ka shumë çështje me Kinën”, tha një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian. Një tjetër diplomat i lartë konfirmoi bllokimin nga ana e Hungarisë. Një zyrtar i BE-së tha se deklarata ishte tërhequr prej procesit të miratimit.

Më 22 mars BE-ja i vendosi sanksione Kinës lidhur me abuzimin e të drejtave të njeriut në Xinjiang; Pekini u përgjigj me të njëjtën monedhë.

Diplomatët hungarezë në Bruksel nuk bënë asnjë koment lidhur me qëndrimin e vendit të tyre. Budapesti mbështeti me ngurrim sanksionet që BE-ja vendosi muajin e kaluar, duke i quajtur “të pakuptimta” dhe disa ditë pas sanksioneve priti ministrin kinez të Mbrojtjes për një vizitë zyrtare.

Hungaria është një përfitues i madh i investimeve kineze. Në të kaluarën si Hungaria ashtu edhe Greqia, kanë bllokuar deklaratat e BE-së mbi Kinën. Kompania kineze COSCO Shipping gëzon shumicën e aksioneve në portin më të madh të Greqisë.

Këtë javë përfaqësuesi i lartë i Pekinit në Hong Kong paralajmëroi fuqitë e huaja se do t’u jepej një mësim nëse do të përpiqeshin të ndërhynin në mënyrën se si ky vend menaxhon Hong Kongun, në një kohë kur tensionet mbi këtë qytet mes Kinës dhe qeverive perëndimore u përshkallëzuan.

Perëndimi thotë se ligji i ri mbi sigurinë që zbatohet në Hong Kong thyen një premtim për të ruajtur një shkallë të lartë të autonomisë së qytetit që prej rikthimit të tij nën kontrollin kinez në vitin 1997. Mbështetësit e Kinës thonë se ligji ka rivendosur rendin pas protestave masive anti-qeveritare dhe anti-Kinës në vitin 2019. /voa