Hungaria kundërshton shpalljen e ndonjë zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë

Duke theksuar se disa vende anëtare të NATO-s sërish po propozojnë një plan të tillë, kryeministri Orban paralajmëroi se një masë e tillë do të ishte e rrezikshme

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se vendi i tij nuk i mbështet propozimet për shpalljen nga NATO të ndonjë zone të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke theksuar se disa vende anëtare të NATO-s sërish po propozojnë një plan të tillë, kryeministri Orban paralajmëroi se një masë e tillë do të ishte e rrezikshme.

Ai tha se NATO është një aleancë mbrojtëse, anëtarët e së cilës kanë fuqi, aftësi dhe madje edhe përgjegjësi për të mbrojtur njëri-tjetrin, por sipas tij, nuk është detyrë e NATO-s të përfshihet në veprime ushtarake jashtë territorit të aleancës.

Orban tha se Hungaria nuk dëshiron të dërgojë ushtarë apo armë jashtë NATO-s, duke theksuar se ata po ashtu janë kundër sanksioneve të mundshme të gazit natyror dhe naftës ndaj Rusisë.

SHBA-ja, anëtare e NATO-s, në vazhdimësi ka kundërshtuar propozimet për një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, duke theksuar se zbatimi i kësaj mase mund të çojë avionët luftarakë amerikan dhe rus në konflikt të drejtpërdrejtë, duke rrezikuar një luftë të re botërore.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është dënuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar dhe Moska është përballur me sanksione të ashpra perëndimore dhe të aleatëve. Pasojat ekonomike janë përkeqësuar nga eksodi i kompanive globale nga Rusia.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 925 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, por organizata ndërkombëtare paralajmëron se numri i vërtetë është “dukshëm më i lartë”. /aa