I vetëm para duarve të Zotit!

Sa e sa ankesa dëgjohen sa andej-këndej çdo ditë në marrëdhëniet tona të përditshme, në komunikimet e heshtura me veten, poaq sa ato të zhurmshme me njërin e tjetrin. Të gjithë ankohemi në një mënyrë a një tjetër, sipas një stili, një mënyre e një qasje.
Të gjithë kanë hallet, shqetësimet, streset e problematikat, që ngacmojnë qetësinë dhe rehatinë e tyre. Herë zgjidhen, herë ngecin, herë zgjaten në kohë e herë prekin deri kufijtë e durimit, duke i kalitur a zhveshur nga çdo pretendim…
Sa e sa prej nesh, ka që zgjohet në mëngjes dhe, pa hapur mirë sytë nxjerr një ofshamë të thellë, që përkthen më së miri vuajtjen dhe lodhjen shpirtërore të fshehur në një qoshk…
Sa e sa kalojnë rrugës me kokën ulur, hera-herës edhe duke folur me vete, dikush vështron sa djathtas-majtas, sepse realitetet-sprovë ia kanë thyer kurrizin…
Por, të gjithë ata që e ndjejnë veten të përfshirë në këtë vorbull të pakëndshme, duhet ta dijnë e të binden se, krejt hallet e kësaj bote, krejt sprovat e krejt makthet, e kanë një shërim: lutjen para duarve të Atij, që ka në dorë gjithësinë! Duaja!
Nuk ka si lutja në errësirë, larg njerëzve, larg komplekseve e ndrojtjes, i dorëzuar e pa ngarkesa. I vetëm para duarve të Zotit! Sa madhështore tingëllon: I vetëm para duarve të Zotit!
Shpesh Dr. Ratib Nabulsi përmend: “E pamundur dhe njëmijë herë e pamundur! Të trokasësh në derën e Tij, të përgjëroshesh para Tij dhe t’i lutesh me sinqeritet, duke i kërkuar të mirat e kësaj bote dhe të përjetshmes dhe, të të zhgënjejë! E pamundur!”
Si jo, kur Ai Vetë na fton drejt lutjes, duke na thënë: “E kush tjetër i përgjigjet nevojtarit, kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e, juve ju bën mbizotërues të tokës?! A ka zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.” – (Kurani, En-Neml: 62)
Pasha Allahun, nuk ka si ky ajet, mbushur me shpresë, optimizëm, qetësi e garanci nga Zoti i gjithësisë… Por, ne kemi harruar të lutemi…

Imam Muhamed Bardhyl Sytari