Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar raportin për nivelin e ujit në lumenjtë e Kosovës pas reshjeve të fundit të cilat shkaktuan vërshime në disa komuna të Kosovës.
Në raportin e IHMK-së, bëhet e ditur se nga e hëna në të martën në Kosovë kanë rënë mesatarisht 43mm reshje në një metër katror.
Ndërkaq sasia e reshjeve sipas pellgjeve lumore më së shumti ka arritur në Drinin e Bardhë me 76.2mm, Ibri 27.8mm, Morava e Binçës 19.9mm dhe Lepenci 47.9mm.
Sipas IHMK-së, shumica e lumenjve në Kosovë, e sidomos ata në pjesën Perëndimore dhe qendrore të vendit, gjatë këtyre dy ditëve kanë pësuar ngritje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati i tyre dhe kanë shkaktuar përmbytje lokale.
“Situata më e vështirësuar paraqitet në lumenjtë: Drini i Bardhë, Ereniku, Bistria e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Lumi Drenica, Lumi Istogut. Lumenjtë në lindje dhe jug të vendit si Ibri, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, Nerodimja aktualisht kanë ngritje të lehtë të niveleve dhe nuk paraqesin problem”, thuhet në njoftim.
Sipas raportit të IHMK-së edhe këto ditë priten reshje shiu në vend.







