Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që të shpallë sa më parë konkursin për Kryeprokuror të ri të Shtetit, duke theksuar se një proces i rregullt dhe meritor do të ishte sinjal pozitiv për reformën brenda këtij institucioni.
Sipas IKD-së, Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022 dhe institucioni i Prokurorit të Shtetit vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre.
IKD rikujton se më 17 tetor 2023, presidentja Vjosa Osmani nuk e kishte dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për këtë pozitë, duke e kthyer procesin në këtë institucion. Megjithatë, sipas tyre, që nga ajo kohë KPK nuk ka ndërmarrë hapa për zhvillimin e një procesi të ri transparent dhe meritor.
Prandaj, IKD kërkon nga KPK që pa vonesë të shpallë konkursin dhe të zhvillojë një proces të rregullt për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, në mënyrë që të shmanget thellimi i zbrazëtisë institucionale dhe të ruhet besimi i publikut në sistemin prokurorial.







