Indi, rritet në 32 numri i viktimave si pasojë e përmbytjeve

Është rritur në 32 numri i personave që kanë humbur jetën në përmbytjet në rajonet Assam dhe Meghalaya në verilindje të Indisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e Rrjetit Global të Televizionit të Kinës (CGTN) thuhet se Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive të rajonit Assam (ASDMA) ka njoftuar se 13 persona kanë humbur jetën dhe mbi 1.8 milion njerëz janë prekur nga përmbytjet që vazhdojnë në 28 zona të rajonit.

Ndërsa edhe zyrtarët e Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive të rajonit Meghalaya (SDMAM) kanë njoftuar se 19 persona kanë humbur jetën gjatë dy ditëve në rajon.

Ndërkohë bëhet e ditur se 108.104 njerëz nga rreth 3 mijë zona të prekura nga përmbytjet në Assam janë strehuar në kampet e ndihmës.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi deklaroi se ka biseduar me kryeministrin e rajonit Assam, Himanta Biswa Sarma. “Lutem për sigurinë dhe mirëqenien e popullatës së Assamit të prekur nga përmbytjet”, ka thënë Modi. /aa