Institucioni i Namazit, shëndet dhe mirëqenie sociale

Prof. Dr. Rrahman Ferizi

Namazi është urdhër i All-llahut për çdo Musliman dhe Myslimane. Në urdhërat e Zotit ka shumë urti dhe dobi. Padyshim se edhe në ndalesat e Tij janë shumë dëme. Një pjesë e këtyre dobive dhe dëmeve sot janë vërtetuar nga specialistët e fushave të ndryshme.

Disa nga dobitë shëndetësore të namazit:

Lëvizjet ( veprimet) që bëhen në namaz, ngaqë janë graduale, nuk e lodhin zemrën, dhe për shkak se zhvillohen në kohë të ndryshme të ditës, ndihmojnë vazhdimisht për të ruajtur gjallërinë dhe vitalitetin e njeriut.

Në trurin e njeriut që e vë kokën në sexhde tetëdhjetë herë në tokë gjatë ditës në mënyrë ritmike, qarkullon më tepër gjak. Për këtë arsye qelizat e trurit ushqehen mirë. Tek ata që falin namaz, shumë më pak janë të atakuar me humbje të memories dhe personalitetit. Këta njerëz, që falin namaz, kalojnë një jetë më të mirë shëndetësore.

Për shkak se ulen dhe ngrihen në mënyrë të drejtë, sytë e atyre që falin namaz posedojnë qarkullim më të fuqishëm të gjakut. Tek ata nuk rritet tensioni në sy dhe sigurohet këmbim i vazhdueshëm i lëngut nga këndi i syrit, prandaj edhe syri është i mbrojtur nga sëmundjet e kolorit.

Lëvizjet izometrike në namaz, ndihmojnë përzierjen e mirë të ushqimeve në stomak, tajitjen e lehtë të vrerit dhe për këtë arsye mos grumbullimin e vrerit në qese.

Këto lëvizje gjithashtu kanë rol të madh edhe në lirimin nga kolapsi. Lëvizjet i tundin mirë kanalet e veshkave e të urinës, gjë që mundëson të pengohet formimi i gurit në veshkë dhe ndihmohet edhe zbrazja me lehtësi e fëshikzes (qeses) së urinës.

Lëvizjet ritmike në pesë kohët e namazit që falen, duke i vënë në lëvizje muskujt dhe nyjat që në jetën e përditshme nuk vihen në lëvizje, evitojnë sëmundjet si artritisin (pezmatimin ) e nyejve dhe shtangimin e muskujve.

Për shëndetin e trupit duhet me siguri pastërtia. Abdesi dhe gusli sigurojnë pastrimin trupor. Ai që e kryen detyrën e vet të ibadetit, arrin të pastrohet edhe shpirtërisht.

Në mjekësinë preventive kanë shumë rëndësi lëvizjet trupore të bëra në kohë të caktuara. Kohët e namazit janë kohë të përshtatshme për freskimin e qarkullimi të gjakut dhe për gjallërimin e frymëmarrjes.

Namazi është element i rëndësishëm që rregullon gjumin. Për t’i arritur këto dobi ta namazit, bashkë me faljen në kohën e duhur, duhet t’i kushtohet kujdes higjienës, të mos hahet shumë përnjëherë dhe ushqimet që hahen të jenë të pastra e hallall.

Disa nga dobitë sociale të namazit (sidomos kur kryhet në xhami) :

Ndihmon individin në përcaktimin e prioriteteve dhe organizimin e kohës.

Koordinimin e obligimeve me anëtarët e shtëpisë në familje, apo me përgjegjësit dhe vartësit në vendin e punës.

Mbajtja e lidhjes me njerëzit tjerë dhe instancat e nevojshme për ndihmën e duhur.

Njoftime të reja (lidhje e përgjithshme) në vendtfaljet publike (xhamitë), dhe mundësinë për të shkëmbyer ndihmën e duhur.

Pikëtakim i punëve shoqërore dhe vend i iniciativave të reja, humanitare, kulturore dhe sociale.

Gjatë faljes së përbashkët u ofrohet përparësi parimeve dhe kodeve të edukatës dhe të tjerëve para vetes.

Shtohet ose forcohet bashkëpunimi me të tjerët.

Ngjallët fryma e empatisë, (ndjenjës së të jetuarit edhe për të tjerët) shërbimit ndaj shoqërisë dhe ndihmës ndaj njerëzve pa dallim.

Forcimi i lidhjeve vëllazërore mbi bazën e harmonisë dhe unitetit hyjnor.

Përpjekja e unifikimit në përshëndetje, fizionomi, performancë dhe në meny të gjithëmbarshme të jetës.

Shkëmbimi i buzëqeshjes dhe përshëndetjeve të ngrohta në prezantimet e tilla është dëshmi ose dhurata më modeste, që në një ambient tjetër nuk mund të jetë prezentë në atë instancë.

Interesimi për njëri-tjetrin, në rast të mungesës më shumë se tri ditë, pason thirrja për njoftim rreth gjendjes, gjatë sëmurjes vizitohen, gjatë nevojës jetësore ndihmohen ndërsa nëse vjen vdekja përcillet në mënyrë dinjitoze.

Bëhet vlerësimi i personaliteteve (përpikëria dhe gatishmëria Hyjnore reflekton shpirtin sfidant dhe të devotshëm, përkundër neglizhencës dhe mungesës e cila ven në pah personalitetet jo stabile).

Një aktivitet publik si namazi në xhami është i pëlqyer nga shumë njerëz, ngjashëm sikur një sport i cili është më atraktiv kur ka më shumë spektator, kjo krijon klimë të konkurrencës në pedanteri dhe përpikëri drejt stazave të larta të devotshmërisë.

Është një rast i mirë për të gjithë të gjejnë vend të ngrohët ku do t’i shprehin mendimet e tyre.

Është një fushë e përshtatshme për të zbuluar energjitë dhe talentet e ndryshme dhe për t’i kanalizuar drejt sukseseve të reja.

Përgjegjësit e vendfaljeve publike të namazit (Xhamive) duhet t’i kushtojnë kujdes e rëndësi aktiviteteve të xhamive, prandaj duhet që të shfrytëzohen këto potenciale të cilat frekuentojnë disa herë në ditë.

Nxitja e pjesëmarrësve për të formuar ekipe punese, dhe dhënia e ndihmës së nevojshme për të paraqitur aktivitetet e tyre.

Institucioni i Xhamisë po del nga konturat “religjioze” dhe nga margjinat e mbylljes hermetike, po i kthehet roli për të cilin edhe u hap si vend i parlamentit alternativ shoqëror, vend i dijes dhe altruizmit, vend i shkencës, artit, poezisë, vend nga ku fillojnë organizimet e aktivitetit sportiv e garues, në shtizë, notë, kalërim, vend ku predikohet për menaxhim spiritual të resurseve humane dhe ku aplikohen ta arriturat teknologjike bashkëkohore.

Ndihmohet shkëmbimi i literaturës, ideve, opinioneve, botëkuptimeve, librave, analizave të ngjarjeve dhe rrethanave aktuale rajonale e globale.

Organizimi i konkurseve të ndryshme edukativo-kulturore dhe dhënia e çmimeve materiale e stimuluese për fituesit.

Afiniteti në lidhje me personalitete të shkencës, artit e letërsisë, organizimi i manifestimeve me karakter edukativo-kulturor e shkencor; simpoziumeve, jubileve e akademive përkujtimore kombëtare e fetare.

Të shfrytëzohen rastet e kohës së përshtatshme të organizohen aktivitete të ndryshme periodike të rregullta me pjesëmarrësit në rituale si dhe me nxënësit e rregullt si: ekskursione dhe piknik, seminare edukative, vizita të xhamive simotra, iniciativa për pastërtinë dhe natyrën etj.

Nga: Dr. Rrahman FERIZI