Instituti Kiel për Ekonominë Botërore njoftoi se kostoja e tarifave të vendosura nga Presidenti amerikan, Donald Trump, po përballohet në masë të madhe nga amerikanët, ku 96 për qind e barrës së tarifave bie mbi importuesit dhe konsumatorët në SHBA, transmeton Anadolu.
Instituti me qendër në Gjermani publikoi një raport me titullin “Autogoli i Amerikës: Kush paguan tarifat?”.
Në raport u analizuan më shumë se 25 milionë dërgesa me vlerë totale rreth 4 trilionë dollarë, dhe rezultoi se pothuajse e gjithë kostoja e tarifave po paguhet nga amerikanët.
Raporti thekson se, në kundërshtim me deklaratat e qeverisë amerikane, kostot e tarifave nuk po mbulohen nga eksportuesit e huaj, dhe barra e tarifave ndikon drejtpërdrejt në ekonominë amerikane.
Sipas raportit, të ardhurat nga taksat doganore të SHBA-së u rritën rreth 200 miliardë dollarë në 2025, por eksportuesit e huaj mbuluan vetëm rreth 4 për qind të barrës së tarifave, ndërsa 96 për qind e saj u përcoll tek importuesit dhe konsumatorët amerikanë.
Raporti thekson se edhe pse administrata amerikane synonte të godiste kompanitë e huaja me këto tarifa, politika në të vërtetë i shkakton dëm ekonomisë së brendshme.
Tarifat funksionojnë si një lloj takse konsumi mbi produktet e importuara, duke çuar në ulje të larmisë dhe sasisë së produkteve në treg.
Këto gjetje nënkuptojnë se në planin afatgjatë, marzhet e fitimit të kompanive amerikane do të ngushtohen, konsumatorët do të përballen me çmime më të larta, dhe vendet që eksportojnë në SHBA do të shesin më pak dhe do të jenë të detyruara të gjejnë tregje të reja.


