Interi në kërkim të fitores së pestë rresht

Skuadra e Interit do ta kërkojë fitoren e pestë në po aq ndeshje të luajtura këtë edicion në kampionatin italian. Në kuadër të xhiros së pestë në Serie A, Interi është mysafir i skuadrës se Empolit, ndeshje kjo që luhet të dielën prej orës 12:30. Interi është lider në tabelë me 12 pikë dhe ekipi i vetëm këtë edicion në Serie A, që i ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani. Në anën tjetër, Empoli zë vendin e fundit pa pikë, pasi ka pësuar humbje në katër xhirot e para.

Përcjellësi më i afërt i Interit, Juventusi, do ta ketë një udhëtim të vështirë në kuadër të kësaj xhiroje. Të shtunën prej orës 18:30, Juventusi përballet me Sassuolon, ekip që nuk ka pasur start të mirë këtë edicion dhe ka vetëm tri pikë të tubuara. Për dallim prej Sassuolos, Juventusi ende nuk di për humbje dhe ka tubuar 10 pikë.

Të shtunën, por prej orës 15:00, skuadra e Milanit e pret në stadiumin “San Siro” Veronën. Milani synon të rikthehet te fitorja në këtë ndeshje pasi xhiron e shkuar pësoi thellë nga Interi në derbi, duke humbur me rezultatin 5:1. Milani ka nëntë pikë, dy më shumë se skuadra e Veronës.

Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, është mysafir i Bolognas në duelin që zhvillohet të dielën prej orës 18:00. Në këtë ndeshje, Napolit do t’i mungojë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani për shkak të lëndimit që e pësoi në Ligën e Kampionëve.

Përballja e fundit e xhiros së pestë të kampionatit italian është ajo ndërmjet Torinos dhe Romës. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 20:45, ndërsa te Torino nuk do të jetë në dispozicion Mërgim Vojvoda, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që e mbajti jashtë fushe edhe në duelin e shkuar.