Interi synon ta festojë titullin në “San Siro”

Dueli mes Milanit dhe Interit, do ta mbyll xhiron e 33-të në Serie A të Italisë.

Ky është edhe derbi i kësaj xhiroje, i cili luhet sonte në stadiumin “San Siro” dhe nis në orën 20:45.

Dueli i rivalëve të përbetuar të qytetit të modës, është një prej derbive më të mëdhenj në kampionatin e Italisë, që ndryshe njihet edhe si “Derby della Madonnina”.

Interi, i cili është edhe lider në kampionat duhet ta mposht Milanin për t’u shpallur edhe zyrtarisht kampion i këtij edicioni pasi deri në fund mbesin edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar.

Aktualisht, Interi ka 83 pikë të mbledhura, 14 më shumë se skuadra e Milanit që zë vendin e dytë. Interi ka dominuar këtë edicion në kampionatin italian, ndërsa në ndeshjen e parë të luajtur në shtator të vitit të shkuar triumfoi 5:1 ndaj Milanit.

Derbin e zjarrtë të Italisë, mund ta përcillni në platformën “Telkos”.