Sot në kryeqytetin iranian, Teheran, u fal në masë namazi i xhenazes për udhëheqësin e ndjerë suprem të vendit, Ajatollah Ali Khamenei, në Xhaminë “Imam Khomeini Mosalla”, transmeton Anadolu.
Ceremonia mortore për Khamenein dhe anëtarët e familjes së tij mblodhi qindra mijëra të pikëlluar, shumë prej të cilëve mbërritën në vendngjarje që në orët e para të mëngjesit duke mbajtur flamuj iranianë.
Namazin e xhenazes në kompleksin e madh të lutjeve e udhëhoqi Ajatollah Jafar Sobhani.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin presidenti iranian Masoud Pezeshkian, zyrtarë të lartë ushtarakë e politikë, si dhe figura fetare.
Khamenei u vra në sulme SHBA–Izrael ndaj Iranit që filluan më 28 shkurt, të cilat u pasuan nga sulme hakmarrëse iraniane.
Ceremonitë e varrimit nisën zyrtarisht të premten, me liderë të huaj dhe delegacione zyrtare nga rajoni dhe më gjerë që i bënë homazhe udhëheqësit të ndjerë suprem të Iranit.
Sipas programit zyrtar, ceremonitë mortore do të vijojnë me procesionin kryesor të varrimit në Teheran më 6 korrik.
Ritualet më pas do të vazhdojnë në Qom më 7 korrik.
Më 8 korrik, ceremonitë janë planifikuar në Irak, përfshirë Bagdadin, Najafin dhe Qerbelanë, ku trupi do të pritet nga figura fetare dhe politike para se të dërgohet në faltore të mëdha shiite.
Ceremonia përfundimtare e varrimit është planifikuar për 9 korrik në faltoren Imam Ali Reza në qytetin verilindor Mashhad, një nga vendet më të shenjta të islamit shiit.






