Iran, ish-presidenti Ahmadinexhad në arrest shtëpiak

Autoritetet iraniane kanë vendosur masën e arrestit shtëpiak për ish-presidentin Ahmadinexhad. Ai akuzohet se ka nxitur protestat antiqeveritare, në të cilat 21 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjera janë arrestuar.

Ish-presidenti Iranian, Mahmud Ahmadinejad u arrestua në qytetin e Shirazit për nxitje të trazirave dhe protestave. Kjo raportohet nga Al Arabiya që citon media me burime të besueshme në Teheran. Ahmadinejad është nën arrest shtëpiak, me miratimin e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Ish-presidenti vuan pasojat e disa deklaratave të bëra gjatë një vizite në qytetin Bushehr në fund të dhjetorit, kur ai tha se Irani vuan nga “menaxhimi i keq” dhe se presidenti aktual Hassan Rouani dhe qeveria e tij “besojnë se janë zotërit e një shoqërie injorante”. “Disa liderë aktualë jetojnë të shkëputur nga problemet dhe shqetësimet e njerëzve dhe nuk dinë asgjë për realitetin e shoqërisë”, ka thënë Ahmadinejad.

Ndërkohë, parlamenti iranian është mbledhur të dielën me dyer të mbyllura për të diskutuar lidhur me protestat e ditëve të fundit në disa qytete të vendit. Deputetët kanë dëgjuar ministrin e Brendshëm dhe atë të inteligjencës si dhe sekretarin e Këshillit Kombëtar Suprem për sigurinë. Disa prej tyre kanë shprehur shqetësime për kontrollin në internet të vendosur në fuqi gjatë trazirave, përfshirë ndalimin e aplikacionit Telegram, i cili është më i përdoruri në Iran. Sipas hetuesve ai është përdorur për të nxitur protestat dhe dhunën.

Ndërkohë, manifestimet filluan me 29 dhjetor për shkaqe ekonomike përpara se të dilte jashtë kontrollit dhe të kthehej në një revoltë anti-qeveritare. Trazirat vazhduan për më shumë se dy javë dhe në manifestime u vranë mbi 21 persona dhe qindra të tjerë u burgosën.