Iran, klerikët sunitë thirrje qeverisë të “dëgjojë kërkesat e popullit”

Klerikët sunitë në rajonin perëndimor të Iranit i bënë thirrje Qeverisë së Teheranit të dëgjojë kërkesat e popullit në lidhje me protestat e Mahsa Aminit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas pamjeve në mediat sociale, deklarata e nënshkruar nga kleri sunit është lexuar në qytetet Bukan, Piranshahr, Oshneviye, Nakade dhe Hume në Iran.

Në deklaratën në fjalë potencohet se “qeverisë i është kërkuar të dëgjojë kërkesat e popullit”. Forcave të sigurisë iu kërkua të ndalojnë përdorimin e armëve gjatë protestave. Ata kërkuan dëmshpërblim për dëmet materiale dhe morale të atyre që humbën jetën ose u plagosën si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë.

“Qeveria e Teheranit nuk trajtoi problemet ekonomike dhe sociale të popullit të rajonit me gjithë paralajmërimet. Kërkohet lirimi i të arrestuarve në ngjarjet e fundit”, thuhet në deklaratë.

– Protestat në Iran

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ra në koma dhe u shtrua në spital më 13 shtator në Teheran, pasi u ndalua nga patrullat e Irshadit, të njohura si “Policia e moralit”, me arsyetimin se “nuk respektoi rregullin e shamisë”, vdiq më 16 shtator, duke shkaktuar protesta kundër qeverisë së vendit.

Edhe pse ka deklarata nga burime zyrtare se civilë dhe forca të sigurisë kanë humbur jetën në incidente, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vdekurve.

Organizata iraniane për të Drejtat e Njeriut me seli në Norvegji njoftoi më 19 nëntor se 378 persona humbën jetën në protesta. Sipas lajmeve në mediat iraniane, gjatë protestave kanë humbur jetën rreth 50 roje të sigurisë.

Përderisa mijëra persona u arrestuan gjatë demonstratave, zëdhënësi i gjyqësorit njoftoi më 8 nëntor se ishte përgatitur aktakuzë ndaj 1.024 personave lidhur me ngjarjet që ndodhën gjatë protestave.

Sipas Kodit Penal të Iranit, për ata që kryejnë krime të tilla si “prishja e rendit publik dhe lufta kundër shtetit” parashihet dënim me vdekje.