Irani akuzon Britaninë për ndërhyrje në punët e brendshme

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasimi akuzoi sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Jeremy Hunt, për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme iraniane Kasimi ka reaguar ndaj pretendimeve të Hunt se Nazanin Zaghari me shtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane mbahet në arrest në Iran për qëllime diplomatike nga Qeveria e Teheranit.

Kasimi kritikoi sekretarin e Jashtëm britanik për përdorimin e shprehjeve të pavend, të gabuara dhe ndërhyrëse në punët e brendshme kundër Iranit duke shprehur keqardhje për përdorimin e deklaratave të tilla kundër tyre.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se Hunt në një mënyrë të nxituar dhe jo të drejtë ka ardhur në rend dite disa herë me çështje që nuk i interesojnë Britanisë, Kasimi tha se “Deklaratat e sekretarit të Jashtëm britanik tregojnë se ai nuk ka njohuri të majftueshme për çështjen në fjalë. Këto deklarata janë ndërhyrje në çështjet e brendshme të një vendi të pavarur”.

“Hunt, të shohë fatkeqësitë njerëzore dhe krizat e mëdha që ka shkaktuar për popullatën e rajonit me mbështetjen që Britania ka dhënë për grupet terroriste dhe shteteve okupuese në Lindjen e Mesme”, tha Kasimi duke i kërkuar sekretarit britanik që të shikojë rezultatet e viteve të fundit të vendit të tij në Lindjen e Mesme.

Kasimi ka akuzuar Britaninë për shitjen e armëve për Arabinë Saudite dhe për mbështetje ndaj masakrave të ndodhura në Jemen.

Sekretari britanik Hunt javën e kaluar në një deklaratë tha se “Nazanin Zaghari me shtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane e cila mbahet në arrest në Iran me pretendime për spiunazh, mbahet si peng nga Qeveria e Teheranit për qëllime diplomatike”.

Nazanin Zaghari-Ratcliffe me shtetësi të dyfishtë britaniko-iraniane u arrestua në Iran me akuzat për spiunazh në vitin 2016 dhe është dënuar me 5 vite burgim.