Irani merr përgjegjësinë për sulmin në Erbil, thotë se “shënjestroi objektet izraelite”

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi erdhi si përgjigje ndaj sulmit izraelit të javës së kaluar në Siri që vrau dy anëtarë të IRGC-së

Irani mori përsipër sulmin me raketa të orientuara me precizitet gjatë natës ndaj, siç tha, objekteve izraelite në rajonin e Erbilit në Irakun verior, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, krahu i marrëdhënieve me publikun i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mori përgjegjësinë për sulmin e së shtunës në Qeverinë Rajonale Kurde (KRG), duke thënë se ai erdhi si përgjigje ndaj sulmit izraelit të javës së kaluar në Siri që vrau dy anëtarë të IRGC-së.

IRGC paralajmëroi Izraelin se do të përballej me një “përgjigje të ashpër, vendimtare dhe shkatërruese” nëse sulmet e tilla vazhdojnë, duke u zotuar se do të hakmerrej për sulmin në Siri.

Në deklaratë, IRGC tha se sulmi që ndodhi natën vonë kishte në shënjestër “qendrën strategjike të komploteve” të Izraelit në Erbil.

Garda Revolucionare nënvizoi se siguria e shtetasve iranianë është “vija e kuqe” e forcave të armatosura të vendit.

Në një deklaratë sot, njësia kundër terrorizmit e KRG-së tha se 12 raketa balistike goditën Erbilin pasi u lëshuan nga jashtë vendit.

Ajo tha se sulmi ishte “i nisur nga lindja”, duke synuar një lagje të pasur në drejtim të konsullatës së SHBA-së, duke shtuar se nuk kishte viktima.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme e KRG-së njoftoi se një person është lënduar lehtë si pasojë e sulmit me raketa.

Disa ndërtesa dhe shtëpi u dëmtuan në sulm, shtoi ministria.

“Sonte u kryen sulme të shumta në Erbil me raketa dhe asnjëra prej raketave nuk goditi Konsullatën e re të SHBA-së në Erbil, e cila është në ndërtim e sipër. Megjithatë, zonat përreth kampusit u goditën nga raketat”, tha në Twitter Lawk Ghafuri, shefi i Marrëdhënieve me Mediat e Huaja i KRG-së.

Guvernatori i Erbilit, Omed Khoshnaw, më herët i tha transmetuesit me bazë në Erbil Rudaw se bëhej fjalë për një sulm terrorist kundër Konsullatës së SHBA-së.

Dy anëtarët e IRGC-së të vrarë në sulmin izraelit në periferi të kryeqytetit sirian, Damask, u identifikuan si Kolonel Ehsan Karbalaipur dhe Kolonel Morteza Saeednejad.

“Pa dyshim, okupatori izraelit do të paguajë çmimin për këtë krim”, tha IRGC pas incidentit.

Kryeministri i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut verior (KRG), Masrour Barzani, e dënoi sulmin në Erbil.

“Erbili nuk do t’u nënshtrohet frikacakëve. Fuqishëm dënoj sulmin terrorist ndaj disa vendeve në Erbil”, ka shkruar Barzani në Twitter.

Nga ana tjetër, kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi tha në llogarinë e tij në rrjetet sociale se sulmi kishte në shënjestër sigurinë e njerëzve, duke shtuar se do të fillojnë hetimet për sulmin.

“Forcat tona të sigurisë do të hetojnë këtë sulm. Ne do t’u rezistojmë sulmeve që synojnë sigurinë e qyteteve tona dhe mirëqenien e popullit tonë”, ka thënë Kadhimi.

Edhe Turqia e dënoi gjithashtu sulmin.

“Veprime të tilla që synojnë të prishin paqen dhe stabilitetin në Irak janë krejtësisht të papranueshme”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

“Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Irakut në luftën e saj kundër terrorizmit”, shtoi ministria. /aa