Ministria e Jashtme e Iranit tha sot se aftësitë raketore të Teheranit nuk janë diskutuar në negociatat me SHBA-në në Zvicër dhe përjashtoi mundësinë e lejimit të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të vizituar objektet bërthamore të synuara gjatë luftës amerikano-izraelite kundër vendit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei tha se programi raketor i Iranit nuk ishte përfshirë kurrë në bisedimet me Washingtonin. “Kapacitetet raketore të Iranit nuk ishin pjesë e negociatave me SHBA-të”, tha Baqaei gjatë një konference për media, sipas mediave iraniane.
Ai tha se Teherani nuk ka ndërmend t’u lejojë inspektorëve të IAEA-së akses në objektet bërthamore të sulmuara nga SHBA-ja dhe Izraeli. “Ne nuk kemi ndërmend të lejojmë inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të vizitojnë vendet bërthamore të shënjestruara gjatë konfliktit”, tha ai.
Baqaei mohoi më tej raportet për kontakte me drejtorin e përgjithshëm të IAEA-së, Rafael Grossi në Zvicër. “Ne nuk kemi mbajtur asnjë takim me drejtorin e përgjithshëm të IAEA-së në Zvicër, as nuk ka plane për inspektime të objekteve tona bërthamore që u bombarduan”, tha ai.
Zëdhënësi theksoi se Irani nuk do të përballet me kufizime në përdorimin e fondeve të lëshuara në bazë të mirëkuptimeve të vazhdueshme me Washingtonin. “Ne jemi të lirë të përdorim asetet tona të ngrira që do të lirohen dhe nuk ka kufizime për to”, tha Baqaei.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian tha se prioriteti i qeverisë së tij mbetet mbrojtja e të drejtave të popullit iranian dhe promovimi i paqes dhe sigurisë rajonale, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Mehr.
“Ne kërkojmë zbatimin e plotë të dispozitave të nënshkruara (me SHBA-në) brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të popullit iranian. Nëse kjo arrihet, shumë nga problemet e rajonit do të reduktohen dhe agresorët do të frenohen”, tha Pezeshkian.


