Irani propozon linjë alternative transporti për Kanalin e Suezit

Oferta për ndihmë vjen në një kohë ndërsa vazhdon bllokimi i Kanalit të Suezit

Ambasadori iranian në Rusi, Kazem Jalali, propozoi aktivizimin e një linje transporti që kalon përmes Iranit si një alternativë e Kanalit të Suezit të Egjiptit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kanali i Suezit është pezulluar përkohësisht që nga e marta kur një anije gjigante panameze e mallrave, Ever Given, u përplas ndërsa kalonte përmes një kalimi të ri në kanal.

Egjipti inauguroi Kanalin e Ri të Suezit, i cili kushtoi 8 miliardë dollarë, në gusht të vitit 2015 si pjesë e planeve për të ringjallur ekonominë e vendit dhe për të rivendosur pozicionin e Egjiptit si një qendër e rëndësishme e tregtisë.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, Jalali bëri thirrje për përshpejtimin e “infrastrukturës dhe aktivizimin e korridorit veri-jug” si rezultat i “pezullimit të trafikut detar në Kanalin e Suezit”.

Për vite, Irani ka promovuar korridorin tregtar veri-jug që lidh Indinë me Rusinë duke kaluar përmes Iranit, duke argumentuar se është një alternativë më e mirë për Kanalin egjiptian të Suezit.

Diplomati iranian tha se linja e propozuar e transportit “shkurton kohën” dhe “kursen kosto me 30 për qind në krahasim me Kanalin e Suezit”, duke u bërë kështu një mundësi më e mirë për rrugën e Detit të Kuq.

“Incidenti i fundit dëshmon nevojën për një alternativë më pak të rrezikshme se Kanali i Suezit përmes të cilit kalojnë më shumë se një miliard tonë mallra në vit”, tha Jalali.

Kanali i Suezit konsiderohet si një nga kanalet dhe ngushticat më të rëndësishme në botë. Kjo është rruga më e shkurtër e transportit ndërmjet Evropës dhe Azisë dhe një nga burimet kryesore të valutës së huaj për Egjiptin.

Ndërsa vazhdojnë përpjekjet në kanal, autoritetet thonë se mund të duhen ditë deri në javë për të lëvizur anijen, duke rritur frikën e vonesave të mëdha në furnizimet e naftës.

Të shtunën, kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie, tha se anija u përplas ndoshta për shkak të “një gabimi teknik ose personal”, duke shtuar se kjo do të bëhet e qartë pasi të përfundojnë hetimet mbi aksidentin.

Rabie gjithashtu tha se 321 anije janë bllokuar në anët veriore dhe jugore të kanalit.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, shprehën gatishmërinë për të ofruar ndihmë për të zgjidhur bllokimin. /aa