Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan sot se kanë sekuestruar një anije në Gjirin Persik që transportonte 4 milionë litra karburant të cilësuar si “kontrabandë”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Brigadier Gjeneral Abbas Gholamshahi, komandant i Zonës së Parë Detare të Marinës së IRGC-së, tha se forcat detare kryen operacionin bazuar në informacion të saktë inteligjence dhe morën kontrollin e anijes ndërsa ajo përpiqej të largohej nga ujërat territoriale iraniane.
Sipas Gholamshahit, anija transportonte 4 milionë litra karburant të kontrabanduar. Ai shtoi se në bord ndodheshin 16 anëtarë ekuipazhi joiranianë dhe se rasti u referua tek autoritetet gjyqësore për hetime të mëtejshme.
Komandanti i Marinës së IRGC-së tha se ata po monitoronin nga afër trafikun detar në Gjirin Persik kur zbuluan “aktivitet të dyshimtë” nga një anije e madhe. Vlerësimet e inteligjencës, tha ai, treguan se anija kishte marrë mbi 4 milionë litra karburant të kontrabanduar nga anije më të vogla dhe planifikonte ta transferonte ngarkesën në anije më të mëdha jashtë Gjirit Persik.
Gholamshahi nuk dha informacion për identitetin ose shtetësinë e ekuipazhit prej 16 personash, duke thënë se ata janë dorëzuar tek autoritetet gjyqësore dhe po vazhdojnë hetimet për identifikimin e rrjeteve të përfshira.
Ky rast ndodh pak më shumë se një muaj pasi Marina e IRGC-së sekuestroi një anije me flamur të Esvatinit që po transportonte 350.000 litra karburant. Në atë rast, IRGC-ja njoftoi se anija po transportonte “karburant të kontrabanduar” në formë nafte dizel, e sjellë në bregun e Bushehrit në jug të Iranit. Trembëdhjetë anëtarë ekuipazhi nga vende të ndryshme u morën në paraburgim.
Në fund të nëntorit, Irani sekuestroi dy anije të tjera që, sipas Teheranit, po transportonin 80.000 litra karburant të kontrabanduar pranë Ishullit Kish në Gjirin Persik, ndërsa më parë gjatë atij muaji, IRGC-ja sekuestroi një tanker me flamur të Ishujve Marshall pranë bregut të Makranit në Gjirin e Omanit.
Deri më tani, asnjë vend nuk ka reaguar për sekuestrimin e fundit të anijes në Gjirin Persik.



