Të gjitha masat kufizuese kundër Covid-19 në Irlandën e Veriut do të hiqen dhe zëvendësohen me udhëzime nga e martja, njoftoi ministri rajonal i Shëndetësisë.
Sidoqoftë, Robin Swann i kërkoi publikut të mos ” veprojë me shumë nxitim” dhe paralajmëroi se pandemia nuk ka mbaruar ende.
Lëvizja vjen pas këshillave të shefit të mjekësisë në Irlandën e Veriut, “Sir” Michael McBride.
Më parë, ministrat në parlamentin rajonal në Stormont kishin dhënë “mbështetjen e tyre unanime” për Swann për të lehtësuar masat kufizuese kundër Covid-19 në Irlandën e Veriut, sipas udhëheqësit të Sinn Fein në Stormont, Michelle O’Neill.
Swann, i cili ka rezultuar pozitiv me Covid-19, u këshillua javën e kaluar lidhur me ndërlikimet e mundshme ligjore të zëvendësimit të rregulloreve të Covid-19 me udhëzime, pa miratimin më të gjerë të një ekzekutivi.
Ai u shkroi ministrave të tjerë duke kërkuar kontributin e tyre ndërsa përgjigja e tyre pritet deri të hënën.
Afati i rregulloreve aktuale të Covid-19 në Irlandën e Veriut nuk do të përfundonte deri më 24 mars, të cilat më herët janë rishikuar nga ekzekutivi çdo tre javë. /atsh








