Ish-kryeministri pakistanez, Khan paralajmëron marshim drejt Islamabadit të premten

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka njoftuar se do të mbajnë një “marshim të gjatë” këtë javë në kryeqytetin Islamabad, në një përpjekje për të detyruar qeverinë të thërrasë zgjedhje të reja të përgjithshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në qytetin juglindor Lahore, Khan tha se protesta e tij do të fillojë të premten nga qyteti Lahore, me njerëz që do të bashkohen nga i gjithë vendi.

“Ky do të jetë marshimi i gjatë më i madh në historinë e vendit”, tha Khan, duke shtuar se qeveria, pavarësisht paralajmërimeve të tij të përsëritura, nuk është gati të mbajë një votim, që janë planifikuar të mbahen në fund të vitit 2023.

Khan, i cili e ka përshkruar protestën si një lëvizje për “pavarësinë reale” të vendit, ka mbajtur një sërë tubimesh anti-qeveritare që nga rrëzimi i tij nga pushteti në muajin prill në një votë mosbesimi në Parlament.

Njoftimi i tij vjen pasi Komisioni Zgjedhor i Pakistanit e përjashtoi për dështimin në zbulimin e dhuratave dhe të ardhurave nga shitja e tyre e supozuar që ai mori gjatë kohës që shërbente si kryeministër.

Megjithatë, Gjykata e Lartë e Islamabadit tha se ai nuk është i ndaluar të kontestojë zgjedhjet në të ardhmen.

Në fillim të këtij muaji, ai fitoi gjashtë nga shtatë vendet e Asamblesë Kombëtare në një zgjedhje të pjesshme që ai tha se ishin një referendum mbi popullaritetin e tij.

Në përgjigje të pyetjes për përdorimin e mundshëm të forcës nga qeveria për të penguar protestuesit, Khan pohoi se marshimi i tij protestues do të jetë paqësor dhe nuk ka ndërmend të hyjë në zonën e kuqe të kryeqytetit.

“Ne do të qëndrojmë paqësorë pasi shumë familje do të bashkohen me ne”, tha Khan, duke shtuar se qeveria do të mbahet përgjegjëse “nëse ata përdorin ndonjë forcë kundër njerëzve paqësorë”.

Qeveria tashmë ka premtuar se protestuesve do t’u ndalohet hyrja në Islamabad dhe ata presin të vendosin rreth 30 mijë forca të zbatimit të ligjit për të rrethuar kryeqytetin në mbrojtje.

Autoritetet dërguan qindra kontejnerë në Islamabad për të barrikaduar të gjitha pikat e hyrjes para se të mbërrijnë protestuesit.

Khan nisi një marshim proteste në Islamabad në muajin maj, të cilën më vonë e anuloi pasi i dha qeverisë një ultimatum 6-ditorë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Ndjekësit e tij kishin hyrë në sheshin ‘D-Chowk’ pranë Parlamentit, duke rezultuar në përleshje dhe policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Khan dënoi vdekjen tragjike të gazetarit të shquar pakistanez, Arshad Sharif në Kenia nga policia lokale, duke theksuar se ai u detyrua të largohet nga vendi sepse jeta e tij ishte në rrezik.