Analizë kritike e narrativave, strukturave dhe përfaqësimit
Nga: Jeni Myftari
Debati mbi marrëdhënien ndërmjet Islamit, zhvillimit dhe prodhimit shkencor vijon të paraqitet i polarizuar, si në diskursin publik ashtu edhe në trajtesat akademike. Njëra qasje e përshkruan Islamin si pengesë për përparimin shoqëror dhe institucional; tjetra vë në pah kontributet historike dhe bashkëkohore të qytetërimit islam në formësimin e dijes dhe të institucioneve. Ky shkrim synon të tejkalojë këtë kundërvënie të thjeshtuar përmes një analize të ndërthurur historike, shoqërore dhe institucionale, duke argumentuar se Islami, si traditë fetare dhe mendore, ka ofruar burime të qëndrueshme për zhvillim. Sfidat bashkëkohore të shoqërive me shumicë myslimane shpjegohen më bindshëm nga rrethana strukturore – politike, ekonomike, ideologjike dhe ushtarake – sesa nga vetë normativiteti fetar. Njëkohësisht, propaganda, instrumentalizimi i individëve dhe ideologjitë kundërfetare kanë ndikuar në shtrembërimin e perceptimit mbi Islamin, duke e barazuar padrejtësisht me dhunën apo me prapambetjen, ndërkohë që veprime të ngjashme nga individë të komuniteteve të tjera nuk i atribuohen besimeve të tyre.
Universaliteti normativ dhe dekonstruktimi i reduksionizmit etnik
Në analizë teologjike dhe historike, Islami nuk kufizohet në hapësirë gjeografike apo në përkatësi kombëtare. Ai nuk është fe e një etnie të vetme dhe as e një kulture të caktuar. Identifikimi i Islamit ekskluzivisht me arabët përbën një reduktim të pasaktë si nga pikëpamja historike, ashtu edhe nga ajo shoqërore.
Përhapja e Islamit krijoi një hapësirë qytetëruese shumëetnike, ku kontribuuan aktorë me prejardhje të ndryshme kulturore. Ky pluralizëm i brendshëm rrëzon tezën e homogjenitetit kulturor dhe konfirmon karakterin trans-kulturor të traditës islame.
Në kontekstin e debatit “Islami: zhvillim apo pengesë?”, ky dimension universal është thelbësor. Në terma të teorisë së identitetit social, Islami funksionon si identitet supra-etnik që tejkalon kufijtë kombëtarë, duke ndërtuar solidaritet simbolik përtej përkatësive lokale. Kjo strukturë identitare nuk është në vetvete determinante për nivelin e zhvillimit; ajo ndërvepron me kontekste të ndryshme gjeopolitike, ideologjike dhe ekonomike.
Rezultatet zhvillimore ndryshojnë sipas kushteve institucionale, jo sipas përkatësisë fetare. Universaliteti i Islamit e përforcon tezën se ai nuk është pengesë strukturore, por një traditë normative që ndërvepron me kontekste të ndryshme historike dhe sociale në mënyra të shumëfishta.
Epistemologjia islame dhe kapitali kulturor i dijes
Epistemologjia islame e konsideron dijen (ilm) si detyrim moral dhe shpirtëror dhe si përgjegjësi kolektive. Kjo krijoi, që herët, një kulturë të institucionalizuar kërkimi, përkthimi dhe debati racional. Historikisht, kjo u konkretizua në qendra studimore dhe në zhvillimin e disiplinave si matematika, mjekësia, astronomia, filozofia, hartografia, politika, sociologjia etj.
Nga pikëpamja e teorisë së kapitalit kulturor, kjo traditë prodhoi akumulim të dijes, transferim ndërbrezor dhe integrim të trashëgimisë antike në sisteme të reja konceptuale. Kontributet e figurave si El-Ghazzali, i cili harmonizoi arsyen me besimin, El-Khwarizmi, që hodhi bazat e algjebrës dhe algoritmit, Ibn El-Haythem i cili zhvilloi metoda eksperimentale në optikë, Ibn Sina që hodhi themelet e mjekësisë moderne dhe formuloi Kanunin e Mjekësisë, El-Idrisi hartograf, El-Batani astronom, El-Mawardi në shkenca politike, El-Khalduni në sociologji, El-Kindi në filozofi, etj.etj., jo vetëm që kontribuan në formimin e traditës shkencore globale por edhe janë dëshmi e një mjedisi intelektual që nuk ishte antagonik ndaj arsyes, por e përfshinte atë në strukturën normative fetare.
Prandaj, argumenti që Islami është ontologjikisht kundër racionalitetit bie ndesh me evidencën historike.
Zhvillimi bashkëkohor përtej stereotipeve
Sfidat zhvillimore në disa vende me shumicë myslimane duhen analizuar në kuadër të faktorëve strukturorë si dobësi institucionale, mungesë e diversifikimit ekonomik, ndërhyrje gjeopolitike, ndërhyrje ushtarake, konflikte të zgjatura dhe trashëgimi koloniale. Teoria e varësisë dhe analiza e sistemit botëror ofrojnë shpjegime më të qëndrueshme sesa atribuimi i stagnimit normave fetare.
Empirikisht, performanca zhvillimore ndryshon ndjeshëm midis vendeve me përkatësi të njëjtë fetare, çka tregon se feja nuk është variabël përcaktues. Përtej sfidave, komunitetet myslimanane kontribuojnë në nivel global dhe renditen në listat e fituesive të çmimeve më prestigjoze bashkëkohore si fituesit e çmimit “Nobel”; Abdus Salam, Nobel në fizikë më 1979, për teorinë e bashkëveprimit të dobët dhe elektromagnetik të unifikuar midis grimcave elementare, Ahmed Zewail, Nobel në kimi më 1999, pionier në femtokimi, Aziz Sancar, Nobel në kimi më 2015, për mekanizmat e riparimit të ADN-së etj.
Rritja e investimeve në arsim, teknologji dhe kapital njerëzor në disa shtete me shumicë myslimane, si dhe kontributi i diasporës në sektorë inovativë globalë, përforcojnë këtë argument.
Në terma ekonomikë, zhvillimi është funksion i institucioneve efektive dhe politikave publike, jo i identitetit fetar. Kjo dëshmon se Islami si identitet fetar nuk përbën pengesë për zhvillim.
Simbolet fetare si subjekte të diskurseve globale
Urdhëresat dhe simbolet islame i shohim shpesh të bëhen subjekte të diskurseve globale. Debatet mbi mbulesën e femrës në Islam p.sh. shpesh operojnë brenda një kornize normative perëndimore që e barazon emancipimin me një model të vetëm të shfaqjes publike. Nga perspektiva e psikologjisë sociale, kjo përbën një formë etnocentrizmi kulturor. Ndërkohë, analiza tregon se pjesëmarrja e femrave me mbulesë në arsim dhe profesione të specializuara është në rritje. Koncepti i mbulesës shpesh keqinterpretohet për shkak të përzierjes me praktika tradicionale lokale, duke prodhuar konfuzion midis normës fetare dhe zakoneve kulturore. Për shumë femra myslimane, mbulesa, përtej zbatimit të urdhërit hyjnor, funksionon si shprehje e afirmimit identitar, zgjedhje morale dhe autonomi etike – si akt vetë-pozicionimi në hapësirën publike. Reduktimi i mbulesës në simbol të shtypjes, shpërfill ndërthurjen midis fesë, kulturës dhe strukturave politike.
Lidhur me mbulimin e femrave Kurani thotë:
“Dhe le të ulin sytë e tyre dhe të ruajnë hijeshinë e tyre… dhe le të mbulojnë gjoksin e tyre…” (24:31)
“O Profet! Thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve të lëshojnë mbi vete rrobat e tyre të gjera ….” (33:59)
Gjithashtu, mbulesa shfaqet në Dhjatën e Vjetër – Teurat – tek Gjenesis 24:64-65 me shembullin e Rebekës apo tek Isaia 3:18-23, si dhe në Dhjatën e Re – Bibël – tek Korintasve 11:5-6; 3:13-16 etj.
Kjo dëshmon se koncepti i mbulesës nuk është një dispozitë e izoluar brenda Kur’anit, por një normë me precedent të gjerë në urdhëresat dhe traditat fetare si dhe në kultura të ndryshme historike. Prania e saj në tekstet e shenjta dhe në praktikat religjioze të komuniteteve të ndryshme tregon se modestia në veshje është koncept etik dhe shpirtëror me shtrirje universale. Në mënyrë krahasuese, nëse anëtarët e komuniteteve të tjera do të zbatonin udhëzimet e librave të tyre të shenjtë për modestinë dhe mbulesën, do të vepronin në të njëjtën mënyrë si femrat praktikante myslimane.
Nga pikëpamja analitike, ekzistenca e këtij precedenti ndërfetar e sfidon pretendimin se mbulesa apo përdorimi i simboleve fetare në hapësira publike përbën shenjë prapambetjeje apo pengesë zhvillimi. Zhvillimi institucional, arsimor dhe profesional varet nga faktorë strukturorë dhe politikë, jo nga zbatimi i një apo disa normeve fetare në hapësirën publike. Për rrjedhojë, lidhja automatike midis mbulesës dhe stagnimit është logjikisht e pabazuar dhe empirikisht e paqëndrueshme.
Lufta politike dhe propaganda ideologjike mbi përfaqësimin e Islamit
Narrativat që portretizojnë Islamin si prapambetje nuk kanë bazë akademike, ato rrjedhin nga interesa politike dhe ekonomike. Diskurset koloniale dhe neo-koloniale paraqesin shoqëritë myslimanane si “të pazhvilluara” për të justifikuar ndërhyrjet politike, ushtarake dhe kontrollin ekonomik. Islami shpesh shndërrohet në simbol të “problemit”, ndërkohë që faktorët realë të pengesës për zhvillim – pabarazitë globale, varësitë ekonomike, fragmentimi politik dhe fetar, lufta për kontroll – hidhen në plan të dytë.
Politika dhe media shpesh përdorin individë me prejardhje myslimane për qëllime politike apo ideologjike, duke i propoganduar dhe ngritur në pjedestal si shembuj të një Islami “jo real” terrorist, të dhunshëm dhe kundër-zhvillimor. Ndërkohë, veprimet kriminale të individëve të përkatësive të tjera, fetarë ose jo, nuk u faturohen komuniteteve të tyre, duke zbatuar standard të dyfishtë kulturor, politik dhe ideologjik. Ky proces përforcon stereotipe dhe prodhon stigmatizim kolektiv, me pasoja në kohezionin social dhe në perceptimin ndërkombëtar.
Sekularizmi radikal dhe dimensioni antropologjik i fesë
Rryma të caktuara të ateizmit militant dhe sekularizmit radikal shpesh synojnë eliminimin apo përjashtimin e fesë nga hapësira publike, duke e konsideruar atë pengesë për modernitetin. Megjithatë, praktikat njerëzore dhe refleksi instinktiv tregojnë të kundërtën: në fatkeqësi, krizë ose pasiguri, njerëzit – pa dallim besimi apo mosbesimi – kërkojnë ndihmë dhe shikojnë kah dimensioni shpirtëror. Kjo dëshmon se ideologjitë anti-fetare nuk mund të eliminojnë nevojën njerëzore për moral, drejtësi dhe mbështetje shpirtërore.
Pra, narrativat që portretizojnë Islamin si pengesë zhvillimi janë të pabaza. Islami, me urdhërimet për dijen, etikën dhe përkushtimin moral, nuk pengon zhvillimin; përkundrazi, ofron kornizë të qëndrueshme për veprim, vetëdisiplinë dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Praktikat fetare, si mbulesa e femrave, thirrja e ezanit, shfrytëzimi i hapësirës publike për adhurim etj., forcojnë identitetin dhe aftësinë për pjesëmarrje publike, duke sfiduar narrativat reduktuese.
Në fund është me vend të thuhet se dikotomia “Islami: zhvillim apo pengesë” është konceptualisht e varfër dhe analitikisht e pamjaftueshme. Historia dëshmon periudha dinamike të shkencës dhe dijes, ndërsa realiteti bashkëkohor tregon kontribute të prekshme të myslimananëve në shkencë, teknologji dhe ekonomi.
Pabarazitë zhvillimore shpjegohen më bindshëm përmes analizës së strukturave propaganduese institucionale, ekonomike, gjeopolitike, ushtarake si dhe përmes dëshirës për sundim, sesa përmes esencializimit fetar.
Politizimi i simboleve islame është pjesë e një beteje më të gjerë ideologjike dhe lufte për pushtet, përfaqësim dhe kontroll narrativ. Një qasje shkencore kërkon çlirimin nga stereotipet dhe vendosjen e analizës në korniza ndërdisiplinore, ku feja shihet si faktor ndërveprues në proceset e zhvillimit. /tesheshi








