Itali, katër persona humbin jetën nga zjarret në rajonet jugore

Të paktën katër persona kanë humbur jetën nga zjarret në pyje në shumë vende në rajonet jugore të Italisë, raporton Anadolu.

Në ishullin e Siçilisë, që është më i prekuri nga zjarret, po zhvillohen aktivitete për shuarjen e 86 zjarreve të mëdha dhe të vogla. Zjarri, i cili shpërtheu dje rreth aeroportit të Palermos në Siçili, u përhap gjatë natës. Në zonën e zjarrit janë gjetur dy kufoma të karbonizuara.

Aeroporti i Palermos, i cili gjatë natës ishte mbyllur për trafikun ajror për shkak të zjarrit, është rihapur mëngjesin e sotëm për disa fluturime ndërsa rreth 1.500 persona u evakuuan nga zona.

Në qytetin e Palermos janë evakuuar 200 persona nga një spital i rrezikuar nga zjarret. Rreth 80 zjarre të mëdha e të vogla janë aktive në rajonin e Kalabrisë.

Për shkak të një zjarri pyjor që shpërtheu pranë qytetit të Vieste në bregdetin e Adriatikut në rajonin Pulia në juglindje të vendit, rreth 2.000 turistë u evakuuan nga tre hotele.

Teksa aktivitetet e shuarjes së zjarreve vazhdojnë në rajonet jugore, temperaturat e larta dhe era po pengojnë përpjekjet e zjarrfikësve. Nga ana tjetër, rajonet e Lombardisë dhe Venetos në veri të Italisë po përballen me breshër të fortë dhe kushte të stuhishme të motit.

Qeveria rajonale e Lombardisë po përgatitet t’i kërkojë qeverisë qendrore shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të stuhisë, e cila deri më tani ka dëmtuar ndërtesa dhe automjete dhe ka lënë dy persona të vdekur.