Itali, tre të vdekur dhe mijëra të zhvendosur pas shirave të rrëmbyeshëm në veri të vendit

Autoritetet lokale italiane njoftuan se të paktën tre persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë u zhvendosën pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin verior italian Emilia Romagna, transmeton Anadolu.

Shirat e dendur shkaktuan vërshimin e rreth 14 lumenjve, duke përmbytur rrugët dhe shtëpitë dhe duke shkaktuar ndërprerje të trafikut hekurudhorë.

Ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, tha se të paktën 5 mijë njerëz janë evakuuar nga zona.

Autoritetet kanë paralajmëruar banorët në zonat e prekura se reshjet mund të vazhdojnë edhe për 12 orë të tjera.

“Gjendja emergjente nuk ka mbaruar aspak. Operacionet e shpëtimit janë komplekse dhe mund t’i vënë në rrezik shpëtimtarët”, deklaroi për transmetuesin kombëtar RAI, Titti Postiglione, nënkryetari i Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Italisë.

Dy javë më parë, nga kushte të ngjashme të motit humbën jetën të paktën dy persona dhe u dëme të rënda në të njëjtin rajon.

Musumeci tha se qeveria po ndiqte nga afër situatën dhe tashmë ka caktuar 10 milionë euro për përpjekjet e shpëtimit.

Italia ishte goditur nga një periudhë e thatësirës së vazhdueshme në vitet e fundit, por ekspertët kanë paralajmëruar edhe për dukuri të tjera ekstreme të motit, si stuhitë dhe përmbytjet, të cilat po bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.

Thatësira e zgjatur e bën tokën më pak absorbuese të shiut se zakonisht, duke rritur gjasat e përmbytjeve.