Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Italia evakuon për trajtim mjekësor 117 palestinezë, përfshirë 26 fëmijë

Italia evakuon për trajtim mjekësor 117 palestinezë, përfshirë 26 fëmijë

Një grup prej 117 personash, përfshirë 26 fëmijë palestinezë dhe të afërmit e tyre, u evakuuan në Itali mbrëmë nga aeroplanët e Forcave Ajrore Italiane (Aeronautica), për trajtim mjekësor i cili është marrë përsipër nga Italia, transmeton Anadolu.

Një deklaratë me shkrim të bërë nga Ministria Italiane e Mbrojtjes theksohet se tre aeroplanë transporti të Forcave Ajrore Italiane, të cilët u ngritën nga Aeroporti i Eilatit në Izrael mbrëmë, evakuuan 117 persona, përfshirë 26 fëmijë si dhe të afërmit e tyre, të cilët kishin nevojë për trajtim urgjent mjekësor.

Në deklaratë thuhet se aeroplanët janë ulur në aeroportet Roma Ciampino, Pisa dhe Milano Linate dhe se palestinezët e plagosur do të marrin trajtim në spitalet atje.

Ministria në deklaratën e saj vuri në dukje se me këtë operacion të fundit evakuimi, numri i personave të sjellë në Itali për trajtim, së bashku me familjet e tyre, ka tejkaluar 900.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, komentet e të cilit u përfshinë në deklaratë, ka deklaruar se “Italia po tregon se mund t’i përkthejë vlerat e solidaritetit dhe përgjegjësisë në ndërhyrje konkrete në mbështetje të popullsisë civile. Vendi ynë po jep kështu një kontribut të qetë, por efektiv në iniciativat humanitare”.

Raportohet se aeroplanët mbërritën në Itali në mesnatë të natës së 9-10 shkurtit.

Italia më parë ka evakuuar shumë palestinezë, përfshirë fëmijë të plagosur në sulmet izraelite në Gaza dhe ata që kanë nevojë për trajtim urgjent mjekësor.