Izraeli bombardoi Rripin jugor të Gazës sot herët dhe avancoi në një kamp refugjatësh në Gazën qendrore, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit, raporton Anadolu.
Burimet lokale thanë për AA se avionët luftarakë izraelitë nisën sulme ajrore në disa zona në Rafah, në jug, njëkohësisht me granatime artilerie dhe të shtëna nga automjetet ushtarake në pjesët veriore të qytetit. Në Gazën veriore, automjetet ushtarake dhe buldozerët izraelitë hynë në kampin e refugjatëve Jabalia, nga i cili forcat ishin tërhequr si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Dronët kuadkopterë izraelitë nisën zjarr të rëndë ndërsa forcat e ushtrisë shkatërruan me buldozerë disa ndërtesa para se të largoheshin nga kampi, shtuan burimet. Në qytetin e Gazës, automjetet ushtarake që ishin të stacionuara në “zonën e verdhë” të kontrolluar nga Izraeli hapën zjarr drejt lagjeve të banuara në zonat lindore të qytetit.
Ndërkohë theksohet se nuk ka pasur raportime për viktima. Ushtria izraelite ka kryer qindra shkelje në Rripin e Gazës që kur armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, duke rezultuar në vrasjen e 401 palestinezëve. Ushtria izraelite ka vrarë gati 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.


