Izraeli hedh hapin e parë për “aneksimin e Bregut Perëndimor”

Ministria izraelite e Transportit dhe Çështjeve të Inteligjencës ka miratuar projektin për linjën hekurudhore që do të lidh vendbanimin izraelit Ariel në Bregun Perëndimor të pushtuar me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Portali izraelit ‘Valla’ ka bërë të ditur se ministri Yisrael Katz të enjten e kaluar ka miratuar projektin për linjën hekurudhore që do të lidh lagjen izraelite Ariel me Izraelin, kurse ndërtimi i hekurudhës duhet të përfundojë deri në vitin 2025.

Katz theksoi se ky projekt do të kushtojë 1.1 miliardë dollarë dhe se qëllimi është zvogëlimi i ngarkesës të trafikut rrugor në këtë relacion.

Nga burime të afërta me qeverinë ekstreme të krahut të djathtë të Izraelit, kanë theksuar faktin se projekti u miratua në kohën kur gjithnjë e më shumë po flitet në lidhje me opsionet e aneksimit të Bregut Perëndimor.

Një deklaratë nga Qeveria palestineze paralajmëron se miratimi i projektit paraqet “hapin e parë të projektit izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe parandalimin e formimit të shtetit palestinez”.

“Ky është një hap i bërë nga qeveria okupatore me qëllim të vjedhjes së territorit tonë të pushtuar, ndërsa guximin për këtë e ka marrë nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Palestinës, Jusuf el-Mahmud.

Komiteti Qendror, i cili është organ këshillues i partisë izraelite në pushtet Likud, i udhëhequr nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më 1 janar 2018 miratoi njëzëri rezolutën e cila kërkon aneksimin e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor.

Në fund të vitit 2017, Presidenti amerikan Trump e njohu Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”. Përkundër reagimeve të ashpra të palestinezëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, administrata amerikane refuzon ta tërheqë këtë vendim.

Izraeli aktualisht nën pushtim mban 85 për qind të territorit historik palestinez, i cili shtrihet në 27 mijë kilometra katrorë ndërsa palestinezët mund të përdorin vetëm 15 për qind.

Zonat e pushtuara që palestinezët mund të përdorin pjesërisht janë Kudsi Lindor, Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës kurse Palestina në këto rajone dëshiron sovranitetin e plotë.

Kudsi Lindor është qyteti ku ndodhet edhe xhamia Al-Aksa, e cila ishte kibla e parë, sipas të ciliës muslimanët drejtoheshin gjatë lutjes. Përveç kësaj në këtë qytet ndodhen edhe vendet më të rëndësishme të shenjta të krishterëve dhe hebrenjve.

Statusi i Kudsit Lindor konsiderohet si një nga pengesat më të mëdha në zgjidhjen e çështjes izraelito-palestineze.