Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përpëlitjet e fundit të Bibit: nesër një sulm i dhunshëm në Knesset?

Përpëlitjet e fundit të Bibit: nesër një sulm i dhunshëm në Knesset?

Skenari paralajmërohet nga 168 ish-zyrtarë të lartë të sigurisë

Benjamin Netanyahu nuk po dorëzohet, edhe pse zgjedhjet e 27 tetorit i dhanë fund përpjekjes së tij për të siguruar një mandat tjetër si kryeministër.

Ndërsa Gadi Eisenkot po përgatitet të marrë drejtimin e qeverisë së re, ish-kryeministri po kërkon mënyra për të qëndruar në pushtet, madje edhe përmes një marrëveshjeje për ndarjen e mandatit.

Por përpjekjet e tij, po shoqërohen edhe me paralajmërime shqetësuese për një përshkallëzim të mundshëm të dhunës nga e djathta izraelite.

Një grup prej 168 ish-zyrtarësh të lartë, mes tyre ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, drejtues të policisë, Mossadit dhe Shabak-ut, i kanë dërguar një letër konfidenciale shërbimeve të sigurisë, duke paralajmëruar për një sulm të mundshëm ndaj Knessetit të martën, më 10 nëntor, ditën kur nis legjislatura e 26-të e parlamentit izraelit.

Dokumenti, i firmosur nga ish-zyrtarët nën emrin “Muri i Mbrojtjes së Demokracisë”, paralajmëron për një skenar të ngjashëm me sulmin ndaj Kapitolit amerikan në janar 2021, pas humbjes së Donald Trump në zgjedhje.

Sipas tyre, rreth 1.500 aktivistë të së djathtës janë të gatshëm të pengojnë ceremoninë e betimit të parlamentit të ri. Paralajmërimi është marrë seriozisht dhe për Jerusalem janë parashikuar masa të jashtëzakonshme sigurie.

Vëmendja do të jetë veçanërisht te Netanyahu. Nëse do ta nxisë turmën, do të heshtë apo do të presë zhvillimet. Por shqetësimet për kërcënimet ndaj demokracisë nuk vijnë vetëm nga opozita.

Gadi Eisenkot ka paralajmëruar se demokracia izraelite po kalon një nga momentet më kritike të historisë së saj, duke iu referuar edhe rrezikut që vjen nga ekstremizmi i së djathtës.

Netanyahu, kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, po përpiqet të fitojë kohë. Pak para se presidenti Isaac Herzog t’i besonte Eisenkotit formimin e qeverisë, ai publikoi një video ku bënte thirrje për krijimin e një “qeverie uniteti kombëtar”.

Përgjigjja e rivalit ishte e menjëhershme: Eisenkot e akuzoi për hipokrizi dhe sjellje histerike. Brenda pak ditësh, Netanyahu kaloi nga ideja e një “koalicioni të fortë kombëtar të së djathtës” te propozimi për një “qeveri të gjerë kombëtare”.

Mesazhi i tij është i qartë: nuk ka përfunduar ende. Ai shpreson të shfrytëzojë frikën nga partitë arabe dhe rezervat e partive fetare për të penguar konsolidimin e shumicës së re.

Televizioni publik Kan, raportoi se një i dërguar i Likud kishte kontaktuar përfaqësuesit e Eisenkotit për të shqyrtuar mundësinë e një marrëveshjeje qeverisëse, madje edhe të një rotacioni në postin e kryeministrit, si ai mes Shimon Peresit dhe Yitzhak Shamir në vitin 1986, apo mes Naftali Bennettit dhe Yair Lapidit më 2022.

Por propozimi është refuzuar pa hezitim. Eisenkot nuk dëshiron t’i lërë iniciativën Netanyahut. Një nga kushtet e pashkruara të çdo marrëveshjeje të mundshme është që Bibi të qëndrojë larg qeverisë, edhe nëse Likud përfshihet në të.

Pak besojnë se ai do ta respektonte një marrëveshje të tillë. Benny Gantz e provoi këtë në vitin 2020, kur Netanyahu nuk ia dorëzoi pushtetin sipas marrëveshjes së rotacionit.

Në përpjekje për të ruajtur ndikimin, Netanyahu ka paralajmëruar gjithashtu kundër një qeverie, që sipas tij do të varej nga “islamistët mbështetës të Hamasit”. Ai pretendon se një qeveri e tillë do të nxiste trazira të ngjashme me ato në Evropë dhe se Izraeli nuk do të mbijetonte.

Ndërkohë, Eisenkot po përpiqet të kufizojë ndikimin e 19 deputetëve të partive arabe në formimin e shumicës parlamentare, për të shmangur qëndrimin e tij në varësi të votave të tyre.

Por për analistin Ben Caspit, epoka politike e Netanyahut ka marrë fund. “Ai nuk arrin as ta imagjinojë veten si kryeministër në largim dhe bashkëshorten si ish-zonjë të parë. Beson se pa të vendi do të marrë flakë. Por gabon: vendi mori flakë pikërisht gjatë mandatit të tij”, shkruan ai. \tesheshi.com\