Policia izraelite ka liruar një ushtar të akuzuar se ka përplasur me një motor 4-rrotësh një palestinez teksa po falej pranë qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe e ka vendosur në arrest shtëpiak pas marrjes në pyetje, transmeton Anadolu.
Siç raporton e përditshmja izraelite “Haaretz”, policia njoftoi se ka arrestuar dhe ka marrë në pyetje një ushtar rezervist pasi në mediat sociale qarkulloi një video që e tregonte atë duke e përplasur me një motor 4-rrotësh një palestinez teksa po falej në anë të një rruge pranë Ramallahut.
Ushtari u lirua nën kushte të rrepta dhe u vendos në arrest shtëpiak për pesë ditë. Atij iu ndalua t’i afrohet fshatit Deir Jarir, ku ndodhi incidenti ose të kontaktojë çfarëdo personi të lidhur me rastin. Gazeta izraelite raportoi se policia izraelite po koordinohet me ushtrinë në kuadër të hetimit, i cili përfshin edhe faktin se ushtari ka qëlluar me armë brenda fshatit.
Ushtria izraelite, tha “Haaretz”, konfiskoi armën e ushtarit rezervist dhe i dha fund shërbimit të tij ushtarak për shkak “të seriozitetit të incidentit”. Dje, transmetuesi publik izraelit KAN tha se një video që qarkullon në mediat sociale tregon një rezervist që drejtonte një motor 4-rrotësh duke përplasur një palestinez që po falej në anë të rrugës në Deir Jarir pranë Ramallahut.
Burimet lokale për Anadolu thanë se palestinezi pësoi mavijosje pasi një “kolon izraelit i paligjshëm” e përplasi qëllimisht me një mjet me katër rrota teksa ai po falej në hyrje të fshatit. Burimet thanë se një grup kolonësh të paligjshëm sulmuan zonën dhe automjetet palestineze ndërsa pamjet e incidentit u përhapën me shpejtësi në platformat lokale palestineze.
Sipas shifrave palestineze, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë vrarë të paktën 1.103 palestinezë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, kanë plagosur pothuajse 11 mijë si dhe kanë arrestuar rreth 21 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.
Në një opinion historik në muajin korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

